Komuna e Gjilanit e ka ofruar për herë të dytë në dëgjim publik rregulloren për ndarjen e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, përpara se ky akt normues të miratohet në Kuvend Komunal, për t`iu dhënë mundësi qytetarëve, shoqërisë civile dhe grupeve tjera të interesit që të përfshihen sa më shumë në vendimmarrje.
Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjilanit jep titujt “Qytetar Nderi”, “Nderi i Qytetit”, ndërkaq është propozuar që në këtë rregullore të përfshihen edhe çmimi ekzistues letrar “Beqir Musliu” për personalitete të shquara dhe subjekte juridike, si shenjë nderimi për sakrificë si dhe kontribut të veçantë në fushën e humanizmit, sakrificës etj.
Sipas tij, ndryshimi nga rregullorja ekzistuese e vitit 2011, është se tani janë propozuar edhe dy çmime të reja, “Agim Ramadani” dhe “Idriz Seferi”, ndërkohë që nga zyrtarë komunalë për kulturë, rini e sport, nga shoqëria civile dhe grupi i grave aktive, janë propozuar që të themelohen edhe çmimet “Xhavit Ahmeti”, “Ibrahim Rugova”, “Hanumshahe Abdullahu Zymberi – Nushi”.
Festa Shabani, këshilltare e pavarur komunale dhe Arjeta Maka nga shoqëria civile kanë këmbëngulë që patjetër njëri nga çmimet që ndan Kuvendi Komunal të jetë në emër të femre, duke dhënë se propozim konkret emrin e dëshmores Hanumshahe Abdullahu Zymberi – Nushi, që do të ndahej për gruan më aktive të vitit.
Hevzi Matoshi ka kërkuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport që këto propozime, bashkë me arsyetimet për secilin emër veç e veç, t`i dërgojë me shkrim, në mënyrë që komisioni t`i përfshijë në propozim-rregullore dhe t`i dërgojë në procedurë të mëtejme për miratim.