Ndarja e dymbëdhjetë deputetëve nga lëvizja “Vetëvendosje”, duke e formuar Grupin e Deputetëve të Pavarur (GDP), do t’ia ndajë edhe hisen e partisë së Albin Kurtit në komisionet parlamentare.
Deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë udhëhequr deri më tani me katër komisione parlamentare, duke përfshirë këtu Komisionin për Legjislacion, të cilin e udhëheq Albulena Haxhiu, Komisionin për Arsim, të cilin e udhëheq Ismajl Kurteshi, Komisionin për Shëndetësi, të cilin e udhëheq Besa Baftiu, si dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, të udhëhequr nga Donika Kadaj-Bujupi.
Deputetet Besa Baftiu dhe Donika Kadaj-Bujupi nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”. Baftiu i është bashkëngjitur Grupit të Deputetëve të Pavarur, ndërsa Kadaj-Bujupi është rikthyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Në anën tjetër Aida Dërguti, e cila është pjesë e GDP-së, është nënkryetare e Kuvendit, përderisa deputetë të “Vetëvendosjes” i kanë kërkuar ish-koleges së tyre që ta lëshojë postin ose do ta shkarkojnë.
Deputetja Besa Baftiu, njëherësh edhe kryetare në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, ka thënë për “Zërin” se ende nuk di asgjë nëse do të largohet nga pozita e saj në Komision.