Rikthehen emërimet politike në borde, donatori i LVV-së bëhet kryesues në Postë, kandidati për asamblist fiton pozitë të rëndësishme

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

Fadil Bejta, emri i të cilit është në listën e donatorëve të LVV-së është shpërblyer me një goxha post një muaj më pas. Ai është emëruar kryesues i bordit të Postës. Ndërsa, Hasan Krasniqi, që në zgjedhjet e tetorit provoi fatin si kandidat për asamblist të LVV-së, tash është bërë kryeshef në KRU Gjakovës.

Pas një pauze të shkurtër, janë rikthyer emërimet në pozitat e Ndërmarrjeve Publike, të cilave u dalin lidhjet politike me partinë në pushtet.

Fadil Bejta, që figuron në raportin financiar të LVV-së si donator i partisë, është bërë kryesues i bordit të ndërmarrjes publike ‘Posta e Kosovës’.

Në raport, shkruan se Bejta ka dhënë donacion 1000 euro më 12 shkurt të 2021-ës, që i bie dy ditë para zgjedhjeve të cilat i fitoi LVV-ja. Ka dhënë edhe një donacion tjetër, prej 50 eurosh në po të njëjtin muaj.

Kryesuesi i ri i bordit të Postës e ka pranuar që ka dhënë donacion në LVV, por thotë se vetëm 50 eurot kanë qenë të tij, e donacioni prej 1000 eurosh ka qenë i një personi që ka dashur të jetë anonim. Këto i ka deklaruar për ‘Kallxo’.

Zgjedhjen e bordit të ri të ndërrmarrjes publike e prezantuar kryeministri Albin Kurti në mbledhjen  e Qeverisë. Përzgjedhja është bërë me konkurs të hapur.

“Propozoj që të emërohen në Bordin e Ndërmarrjes “Posta e Kosovës” këta kandidatë: Fadil Bejta, kryesues, Safije Beseni, anëtare, Hyrmete Mydyti, anëtare, Sebahate Krasniqi, anëtare, Visar Nura, anëtar dhe Gëzim Paci, anëtar”, tha Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Kryeministri ka thënë se emrat e bordit të ri janë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe tek Thesari i Kosovës për t’i verifikuar nëse kanë të kaluar politike.

Në radarin e institucioneve nuk ka rënë as një i përzgjedhur tjetër në ndërmarrje publike, i cili ka të kaluar të freskët politike.

Këto ditë, ‘Kallxo’ ka raportuar se asamblisti i Lëvizjës Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, Hasan Krasniqi, është zgjedhur kryeshef i ujësjellësit rajona KRU Gjakova, nga bordi i emëruar prej Qeverisë Kurti pak muaj më parë.

Vendimi mban datën 13 janar, ndërsa është nënshkruar nga drejtori i bordit të përkohshëm, Urim Gashi.

Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muaj para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.

 Kur Kurti mori pushtetin, nisi me shkarkime dhe ngarkime të bordeve të ndërmarrjeve publike. Është raportuar vazhdimisht se bordet e reja që po emëroheshin, kishin në përbërje njerëz të lidhur direkt apo indirekt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, së fundmi, qeveria Kurti nuk po raportohej se po ndërhynte në përzgjedhje të bordeve në përgjithësi. Për shembull, përzgjedhja e bordi të ri i Televizionit Publik, i cili u zgjodh nga Kuvendi, ku partia e Kurtit ka shumicën, është vlerësuar si e denjë nga profesionistë vendorë dhe përfaqësues ndërkombarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme