Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka reaguar ndaj akuzave të anëtarëve të disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të cilët pretendojnë për ndërhyrjen e Kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj në proceset vendimmarrëse të KPK-së.
Prokuroria Speciale këto pretendime i quan të pasakta, duke theksuar se PSRK-ja si dhe Kryeprokurori, nuk kanë ushtruar dhe nuk mund të ushtrojnë ndikim në çështjet të cilat janë në kompetencë ekskluzive të KPK-së.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës informon opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së”, thuhet në reagim.
Përpjekje të çfarëdo qofshin për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debatet e brendshme të KPK-së, PSRK-ja e vlerëson si dëmtim të integritetit të sistemit prokurorial.
“Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial”, nënvizohet në reagim.
Po ashtu janë hedhur poshtë edhe pretendimet se Blerim Isufaj synon të jetë në krye të Kryeprokurorisë së Shtetit, pra për të zënë vendin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokruroit të Shtetit Besim Kelmendi.
“Kryeprokurori, z.Blerim Isufaj, mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, sqaron PSRK.
Më tej thuhet në se “Prokuroria Speciale, riafirmon angazhimin për të vazhduar përmbushjen e funksioneve të saj me pavarësi të plotë, në shërbim të interesit publik, me përkushtim dhe trasnparencë”.