Ndërhyrje në “Shkollën e parë shqipe” në Prishtinë edhe pa pëlqimin e pronarëve

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 08:26 | Nga

Fillimi i ndërhyrjeve në monumentin në Prishtinë, që mbrohet si “Shkolla e parë shqipe”, është çështje ditësh, ani pse autoritetet komunale dhe pronarët e këtij objekti nuk kanë arritur marrëveshje.

“Faza: programi i intervenimeve emergjente, dokumentimi i gjendjes aktuale”, shkruhet në tabelën që tashmë është vendosur në murin ballor. Pos “Shkollës…”, që gjendet në pjesën perëndimore të qendrës historike të Prishtinës, ndërhyrjeve do t’u nënshtrohet edhe objekti që mbrohet si “Shtëpia e Sali Safqes”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Komuna e Prishtinës në një kontratë të vetme ka paraparë ndërhyrjet në këto dy objekte të shekullit XIX, të cilat janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Vlera e kontratës, e nënshkruar në muajin korrik, është 51 mijë e 708 euro. Këto mjete Drejtoria e Kulturës i ndan nga linja buxhetore për “Rinovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore”, që për këtë vit ka në dispozicion 200 mijë euro.

Gjendja në të cilën gjendet “Shkolla e parë shqipe” ka kohë që është e rëndë. Ekspertët e trashëgimisë kulturore kanë vlerësuar se ajo paraqet rrezik për bizneset që gjenden afër saj, por edhe për kalimtarët e rastit. Pavarësisht kësaj dhe vendimit të Komunës së Prishtinës bashkë me ekspertizën e kryer nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, pronarët e objektit e kundërshtojnë këtë ndërhyrje. Kësisoj kanë bërë edhe kur qe hapur tenderi në qershor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme