Ministri i Sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Dragan Mektiq deklaroi sot në Sarajevë se anëtarët e “Nderit serb” janë formacione paraushtarake dhe parapolicore dhe se gjithë kjo situatë ia kujton vitet e 90-ta në BeH.
“Ky formacion për mua është një formacion paramilitar dhe parapolicor sepse është shumë e rrezikshme mënyra në të cilën ata shfaqen dhe janë plotësisht të papranueshme deklaratat qesharake se kinse janë organizatë humanitare. Ne kemi veprime dhe aktivitete të ndryshme humanitare, por kurrë nuk kam parë se aktivistë humanitarë të vishen me uniforma më elite luftarake, të shfaqen me pajisje dhe armatime që përdoren ekskluzivisht për likuidime gjatë operacioneve ushtarake”, citon AA Mektiqin, duke i quajtur ato “çnderimi serb”.
Sipas fjalëve të tij, kjo është një përpjekje për të zhgënjyer popujt dhe qytetarët në Republikën Serpska (RS).
“Siç theksojnë edhe vetë, ata nuk janë të regjistruar as si organizatë humanitare as edhe si ndonjë organizatë tjetër” shpjegoi Mektiq.
Ai paraqiti të dhënat për disa nga anëtarët, të cilët i tregoi në fotografi, duke potencuar se bëhet fjalë për persona të cilët kryesisht janë dënuar për krime të rënda të grabitjes, shantazhit, zhvatjes si dhe kontrabandues droge.
“Çfarë lidhje ka droga dhe veprimtaria humanitare. Ato parasëgjithash janë krijuar për popullin serb, që t’u fusin serbëve frikën në kockë. Këto sqarime nuk mund të kalojnë. Kemi dy përgjigje për këtë sfidë, njëra është që t’i kundërvihemi përmes institucioneve legale në vend në cilindo nivel dhe e dyta, të ngrihemi edhe ne formimin e organizatave paramilitare përmes të cilave do të mbrohemi kundër këtyre kriminelëve dhe hajdutëve. Por, formimi i organizatave të tilla paramilitare mua më kujton fillim vitet e ’91-ta. Kështu filloi edhe në vitet e ’90-ta kur filluan të shfaqen formacione të ndryshme paraushtarake”, theksoi Mektiq.
E gjithë kjo sipas tij po përsëritet, kur të ndodh përleshja “këta kriminelë nuk do t’i shihni, sepse ata janë në një mision krejt tjetër, të grabitjes dhe plaçkës”.
Ai konfirmoi se brenda javës do të përfundojnë me kompletimin e dokumentacionit të cilën do t’ia dorëzojnë Prokurorisë së BeH-së.
“A ka nevojë për prova tjera? Këto do t’ia dorëzojmë Prokurorisë. Ne jemi duke grumbulluar të dhëna për një kohë të gjatë për këtë dhe organizata të ngjashme në gjithë hapësirën e BeH-së. Këtë javë të gjithë dokumentacionin do t’ia dorëzojmë Prokurorisë. U bëj thirrje institucioneve që të zgjedhin këtë problem”, ka thënë Mektiq.
Pjesëtarët e “Nderi serb” më 12 dhjetor të vitit të kaluar, bënë një foto ku shihen në fanella të zeza dhe me uniforma kamuflazhi në sallën ku mbahen seancat e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serpska.