Meqë po shoh se po vazhdon emocioni e tifozllëku rreth një mijë testeve për koronavirusin të ardhura si donacion nga Serbia, ja disa pika që mund të ndihmojnë:
- Në negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës,më 2006 dhe 2007 delegacioni i Kosovës insistoi që çfarëdo ndihme e Serbisë dërguar qytetarëve të Kosovës duhej të kalonte nëpërmjet autoriteteve qendrore në Kosovë. Serbia insistonte që kishte të drejtë të dërgonte mjete financiare dhe mallra në pjesë të ndryshme të Kosovës drejtpërsëdrejti. Në fund fitoi argumenti i Kosovës dhe u ndërtua një procedurë në të cilën Serbia mund të ishte donatore në Kosovë, sikur edhe të gjitha shtetet e tjera.
Kjo procedurë , si pjesë e pakos së pavarësisë së Kosovës, u respektua nga Serbia me dërgimin e 1.000 testeve autoriteteve të Republikës së Kosovës. Siç është respektuar me donacione të tjera , pak apo shumë, në të gjitha këto vite prej shpalljes së pavarësisë e këtej. - Ndërlidhja e donacionit të testeve me veprimet e Serbisë në luftë është e pashije. Herën e fundit që kemi shtruar veprimet e Serbisë në luftë ka qenë në negociatat e Vjenës. Kam ngritur personalisht në Bruksel çështjen e të zhdukurve dhe varret masive në Serbi në takimin me delegacionin më të lartë të Serbisë , ndërsa delegacioni i Kosovës në Vjenë ka dorëzuar edhe material me shkrim për shkatërrimin ekonomik e të pronës private.
Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës deri më sot , ASNJË president a kryeministër i Kosovës ,në ASNJË tryezë negociatore me Serbinë ASNJËHERË nuk ka trajtuar çështjen e të zhdukurve, viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe dëmeve që i ka bërë Republika e Serbisë në Kosovë.
Ka pasur kohë të mjaftueshme e do të ketë kohë të mjaftueshme për t’i ngritur këto çështje, por duke ua ruajtur njëkohësisht dinjitetin, e jo si letra përdorimi në luftë të brendshme politike. - Diskursi politik në Kosovë edhe ashtu është mjaft i helmuar, madje në kohë të vështirë të pandemisë pothuajse si askund në botë. Nuk ka nevojë për më shumë helm kundër të tjerëve : të mendimit, besimit a gjuhës tjetër.