Është mbajtur akademia përkujtimore me rastin e dy vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit të rënë në Kumanovë të organizuar nga Shoqata e Veteranëve dhe Dëshmorëve të Kombit.
Xhavit Jashari kryetar i kësaj shoqate tha se disa nga fqinjët tanë nuk po mund të pajtohen me lirinë e shqiptarëve, raporton Ekonomia Online.
“Kufijtë aktualë politikë që ndajnë tokat shqiptare nuk kanë arritur të ndajnë kujtesën kombëtare të shqiptarëve. E tillë ishte edhe qëndresa e luftëtarëve tanë që ranë dy vite më parë në Kumanovë. Historia jonë i ka treguar Evropës se pa zgjedhjen e çështjes së shqiptarëve nuk do të ketë qetësi në Ballkan”, tha Jashari.
Afërdita Dervishi studiuese lexoi kumtesën e saj të quajtur “Në jetën e shqiptarëve pushka për liri s ndalet kurrë”.
“Sot përkujtojmë dhe nderojmë luftën për liri të cilës nuk iu larguan të rinjtë tanë asnjëherë. Kujtojmë ata djem që bashkimin e tokës mëmë shqiptare e patën në shpirt dhe jo në ëndërr. Ne shqiptarët jemi detyruar shpesh për të bërë luftë për të mbrojtur familjen nderin tokën flamurin”, tha ajo.
Profesori Avdyl Haradinaj tha se populli shqiptarë pati fatin ta mbajë historinë dhe ta bëjë historinë.
“Misioni i tyre ishte fisnik, por fati ishte tragjik”, tha Haradinaj.