Nderohen dëshmorët e rënë në Koshare

Prishtinë | 08 Mar 2022 | 22:56 | Nga Ekonomia Online

Në nderim të kujtimit për dëshmorët e rënë në Koshare, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ishte i ftuar nga Shoqata e ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, gjegjësisht nga komandanti i ish-Brigadës, Rrustem Berisha, që të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së Flamurit të Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe të Çertifikatave përcjellëse familjeve të dëshmorëve nga komunat e Ferizajt, Shtimes, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, që kanë rënë heroikisht në Koshare.

Ballazhi ka thënë se Komuna e Hanit të Elezit krenohet me heroin e kësaj komune, Imri Curri, i cili në luftimet e rrepta në prill të vitit 1999 në Koshare, ra heroikisht për të mos vdekur kurrë.

Në fjalën e tij të rastit, Ballazhi ka përshëndetur familjet e dëshmorëve të rënë në Koshare, komandantin e ish-Brigadës, Rrustem Berisha, si dhe përfaqësuesit e komunave pjesëmarrëse, duke iu garantuar se të gjitha familjet e dëshmorëve do të trajtohen denjësisht duke iu dhënë respektin, mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për sakrificën e tyre.

Kryetari i Hanit të Elezit premtoi se do të jetë përherë krah tyre për çdo gjë që do të jetë e nevojshme.

“Lavdi Dëshmorëve të Koshares dhe gjithë Dëshmorëve të tjerë të kombit”, ka përfunduar Ballazhi.

Të ngjashme