Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj dhe kryetari i Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror Artan Hasani, të premten nënshkruan memorandum mirëkuptimi, përmes së cilës i jepet fund grevës së paralajmëruar nga SINKON. Ky dokument përfshin kërkesat e parashtruara nga kontrollorët ajror pas përfshirjes së tyre në ligjin për paga.
Ministri Lekaj ritheksoi vendosmërinë e tij për angazhim maksimal deri në rregullim të statusit të veçantë për këtë kategori.
Me anulimin e kësaj greve, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” vazhdojnë fluturimet, duke evituar çdo telashe që do të mund të sillte përsëritja e ndërprerjes së punës nga kontrollorët ajror.