Minatorët e Kombinatit Metalurgjik “Trepça”, kanë ndërpreve grevën e nisur për shkaka të pakënaqësi së tyre lidhur me pagat dhe kushteve e punës.
Këtë e bëri të ditur, kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, i cli ka thënë se pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen “Trepça”, puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dy ditore ka rifilluar.
“Rifillon puna në ndërmarrjen Trepça! Pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen Trepça; Bordi, Menaxhmenti, Sindikata si dhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça, puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dy ditore ka rifilluar. Kohëve të fundit, Trepça është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit kemi pasur edhe jo likuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave si dhe obligimeve tjera. Ndërmarrja Trepça është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit”, shkruan Syla.
Syla thotë se pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë, pas liferimit të sasisë së grumbulluar së koncentratit të plumbit dhe zinkut.
“Rregullimi i cilësisë së ushqimit si dhe kushtet tjera të punës për punëtorët në minierë janë në përfundim e sipër. Tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës duke treguar trend të rritjes së prodhimit prandaj Trepçës i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar. Prandaj, çdo grevë eventuale vetëm se do të pengonte zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes. Falenderojmë gjithë punëtorë e Trepçës për mirëkuptimin e tyre si dhe kontributin e dhënë ndër vite në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça”, përfundon ai.