Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit N.K.
“Ky i fundit është dënuar më 01.02.2018, nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me gjashtë vjet burgim, si fajtor për veprën penale “Posedim i paautorizuar me dashjen për të shitur, eksportuar ose shpërndarë dhe importuar narkotik të rrezikshëm” nga neni 228 par.1, 2 dhe 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (vepër kjo e inkriminuar edhe sipas nenit 245 par.1 dhe 2 të Ligjit Penal Jugosllav)”, thuhet në komunikatën e kësaj gjykate.
Po atë ditë, gjykata e shkalles se parë, të akuzuarit ia ka shqiptuar masën e paraburgimit deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit, duke qenë se është dënuar me mbi 5 vjet burgim, dhe se shqiptimi i kësaj mase në këto raste është i detyrueshëm, konform dispozitave të nenit 367 të Kodit të procedurës penale të Republikës së Kosovës.
Meqenëse aktgjykimi i atakuar është anuluar nga Gjykata e Apelit, e duke pasur parasysh se i akuzuari ka qenë duke u mbrojtur në liri, dhe se paraburgimi i është caktuar për shkak të kohëzgjatjes së dënimit të shqiptuar, Kolegji penal i kësaj gjykate ka ardhur në përfundim se tanimë kanë pushuar arsyet ligjore për të cilat është caktuar paraburgimi .