Në tri Exit Poll-et e realizuara për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Arian Tahiri i PDK-së doli të fitonte bindshëm, pa balotazh komunën e Mitrovicës.
Nga sondazhi i UBO Consulting, Arian Tahiri kishte lënë shumë mbrapa Faton Pecin e VV-së në këtë komunë me 55.9%. Peci i VV-së radhitej i dyti me 39.7%.
Në Exit Poll-in e Baton Haxhiut, kandidati i PDK-së kishte marrë 58.3%, ndërsa ai i VV-së 35.6%.
Poashtu i pari, Arian Tahiri kishte dalë edhe në Exit Poll-in e Klan Kosovës, me 51.12%, kurse Faton Peci i VV-së me 41.23%.
Por, nga rezultatet e KQZ-së, realiteti del të jetë krejtësisht ndryshe.
Garë e ashpër po zhvillohet mes dy kandidatëve në komunën e Mitrovicës. Aktualisht, kur janë numëruar 93.33% të vendvotimeve, apo 98 nga 105 sa janë gjithsej, Tahiri dhe Peci janë me rezultat të ngushtë.
Kandidati i PDK-së, Arian Tahiri deri tani ka marrë 47.97% apo 14 mijë e 341 vota, ndërsa Faton Peci i VV-së ka 47.80% apo 14 mijë e 289 vota.
Diferenca mes tyre aktualisht është 52 vota.
