Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është vendim i duhur, megjithëse i vonuar.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Gërxhaliu thekson se në mënyrë që ky projekt ta ketë efektin pozitiv të dëshiruar duhet të bazohet në transparencë dhe në dialog të mirëfilltë publik-privat.
Ai pret vështirësi në implementim dhe sulme nga të ashtuquajturit “patriotë mjedisorë”, pasi preken interesa rajonale.
“Si Odë Ekonomike, ne e kemi mbështetur projektin më të madh në Kosovë sa i përket prodhimit të energjisë elektrike. Mirëpo është një projekt i cili është tej mase i vonuar dhe duhet të kuptohet që në proceset ekonomike në veçanti në shekullin e 21-të, shumë projekte përjetojnë shumë më tepër amortizim moral sesa fizik”.
“Besoj që projekti është i mirëseardhur, por është paksa i vonuar. Në këtë drejtim dua të besoj që kontratat janë të përfunduara, dua të besoj që institucionet vendore duhet të jenë më agresive për të promovuar këtë projekt sepse edhe më tutje ekziston dyshimi a është nënshkruar apo nuk është nënshkruar, çka është nënshkruar dhe si është nënshkruar. Prandaj, nëqoftëse mendohet qe ky projekt ta ketë efektin pozitiv të dëshiruar duhet të bazohet në transparencë, në dialog të mirëfilltë publik-privat”, theksoi Gërxhaliu.
Krahas prodhimit të mjaftueshëm të energjisë, sipas tij, “Kosova e Re” do të hapë edhe vende të reja të punës.
“Vetë fakti që në një periudhë kohore, posa të kryhen procedurat e tenderimit, do të ketë mundësi të punësimit në forma të ndryshme, thuhet afër 10 mijë veta. Ne si Odë ekonomike kemi apeluar që të shfrytëzohen sa më tepër resurse kosovare që të jenë pjesë e ndërtimit, dhe vetë fakti që po forcohet partneriteti me një kompani amerikane me mjaft reputacion, janë ato që e karakterizojnë këtë projekt. Por mbi të gjitha duhet të kuptohet që do të ketë sfida në implementim”, tha ai.
Gërxhaliu tha se për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”duhet të flitet në mënyrë të argumentuar dhe duhet të gjenden indikatorë ekonomikë që e mbështesin një projekt të tillë.
“E para është situata aktuale politike në Kosovë; e dyta, do të ketë lobime të fuqishme te tregtarëve të energjisë elektrike që kanë një fuqi enorme lobuese, në Kosovë, në Shqipëri por edhe në rajon; dhe mbi të gjitha do të jetë ky projekt i sulmuar nga të ashtuquajturit ‘patriotë mjedisorë’ që vërtet do ta sulmojnë qeverinë pse po investon në këto kapacitete gjeneruese”.
“Por duhet të bisedohet në mënyrë të argumentuar, duhet të kemi indikatorë ekonomikë që e mbështesin një projekt të tillë dhe Kosovës nuk i bëhet nderë në qoftëse krahas importit të produkteve të nevojshme edhe më tutje do të importojmë energji elektrike e cila në sezonin e dimrit është ndoshta trefishi i çmimit të kostos normal”, shprehet kreu i OEK-ut.
“Dua të besoj, do të ketë rritje të ekonomisë, do të ketë industrializim. Duhet të kuptojmë që duhet të punohet edhe më tepër në kapacitete alternative të gjenerimit të energjisë elektrike, sepse vërtetë do të jetë e pamundur që me këto 500 Megavatë që do të prodhohen në ‘Kosovën e Re’ të përmbushen nevojat, qoftë të ekonomisë qoftë të amvisërisë. Por është koha kur duhet për ekonomi më tepër të bëjmë sesa vetëm të flasim dhe për ekonomi duhet vërtet të flasë ekspertiza shkencore dhe jo gjithmonë politika dhe termet politike të jenë ato që i karakterizojnë proceset ekonomike në Kosovë”, thekson Gërxhaliu në këtë bisedë me EO.
Marrëveshja komerciale që Qeveria e Kosovës nënshkroi më 20 dhjetor me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” parasheh një investim prej 1.3 miliard euro për të jetësuar njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare.
“Contour Global” do të sigurojë kapitalin (30% të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës thekson se ndërtimi i këtij termocentrali i jep pavarësi energjetike Kosovës dhe do ta zvogëlojë varësinë nga çmimi i paparashikueshëm të energjisë në tregun rajonal.
Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re do të zëvendësojë dhe njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A”.
Termocentrali “Kosova e Re” thuhet se do të ndërtohet në përputhje me standardet mjedisore të Direktivave të Bashkimit Evropian. Me teknologji të re super-kritike, njësia do të ketë efiçencën neto më të madhe se 40.0% duke përdorur sistemet më të fundit të djegies së brendshme dhe të kontrollit të cilësisë së ajrit. Kjo nënkupton konsum më të vogël të linjitit dhe rrjedhimisht emetim më të ulët. Masat e tjera që do të merren gjatë këtij procesi për të vënë nën kontroll ndotjen përfshijnë mbylljen e TC “Kosova A” dhe rehabilitimin e TC “Kosova B”.
Në fazën e dytë, “Contour Global” do të shpallë një proces ndërkombëtar të prokurimit për të përzgjedhur kompaninë e cila do të ndërtojë impiantin e termocentralit “Kosova e Re”. Bëhet e ditur se deri më sot, interesim kanë shfaqur kompani me shtrirje globale si General Electric, Mitsubishi Hitachi, Siemens, Doosan, etj.
TC “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20-vjeçare dhe pa asnjë kosto. Jetëgjatësia e termocentralit është llogaritur 40 vjet, periudhë e mjaftueshme tranzitore drejt sigurimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.