Numri i të punësuarve pa kontratë në tregun e punës në Kosovë, ndonëse konsiderohet të ketë shënuar rënie nga viti në vit, vazhdon të mbetet shqetësim për autoritetet në vend dhe përfaqësues të punëtorëve.
Inspektimet e bëra nga autoritetet kompetente te kompanitë në sektorin privat, shumë herë kanë hasur në punëtorë pa kontrata pune.
Të dhënat e sakta për numrin e të punësuarve joformal nuk dihet, pasi që rastet e tilla rrallë herë raportohen tek autoritetet kompetente.
Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e punës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, bën të ditur se në vazhdimësi nga inspektimet që iu kanë bërë kompanive në Kosovë, kanë hasur në punëtorë pa kontratë pune.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë së vetëm në vitin 2018 kanë hasur në më shumë se 700 raste të punëtorëve pa kontratë pune.
“Punësimi joformal mund të themi se ka shënuar rënie dhe tani nuk është në nivelet që ka qenë në vitet e mëparshme, pasi që çdo vit kemi pasur rënie të numrit të rasteve. Në vitin 2018 kemi pasur mbi 700 raste të punëtorëve pa kontrate pune, kurse në vitin 2017 kanë qenë 1.250 punëtorë pa kontratë pune, derisa në vitin 2016 kemi hasur në 3.000 punëtorë pa kontratë pune”.
“Kjo rënie e punësimit joformal, ka ardhur si rezultat i vetëdijesimit të punëtorit dhe punëdhënësit se duhet të ketë kontratë pune dhe inspektimi që është bërë rregullisht nëpër kompani. Vetëm në vitin 2018 kemi shqiptuar rreth 270 gjoba për biznese, në të cilat gjoba përfshihen edhe mbajtja e punëtorëve pa kontrata pune”, thotë Ibrahimi.