Në një analizë të dhënave të Shërbimit Nacional të Shëndetësisë (NHS) në Britani është zbuluar se ndeshja e kthimit e 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit e Atletico Madridit, ka çuar te 41 vdekje më tepër shkaku i koronavirusit.
Liverpooli e priti Atleticon në “Anfield” para 52 mijë tifozëve më 11 mars. Ishin rreth 3000 tifozë të Atletico Madridit në stadium.
Ajo ishte ndeshja e fundit e madhe që u luajt në Angli para se të merreshin masat kufizuese dhe të pezullohej futbolli për shkak të pandemisë.
Siç ka raportuar “Sunday Times”, grupi “Edge Health”, që analizon të dhënat e NHS-së, beson se ndeshja në Anfield ka çuar te 41 vdekje shtesë 25 deri 35 ditë më vonë.
Kolegji Imperial i Londrës dhe Universiteti i Oxfordit kanë vlerësuar se në Spanjë kanë qenë rreth 640 mijë raste me koronavirus në kohën kur u luajt ndeshja, ndonëse shifrat zyrtare janë dukshëm më të vogla. Sipas raportit thuhet se ishin rreth 100 mijë në Britani.
Në kohën kur u luajt ndeshja, shumë biznese, shkolla, restorante u mbyllën në Spanjë dhe u luajtën edhe ndeshje pa shikues.
Kryebashkiaku i Madridit, Jose Luis Martinez-Almedia, ka pranuar se ishte gabim që të lejohej zhvillimi i ndeshjeve.
“Nuk kishte asnjë kuptim që 3000 tifozë të Atleticos të lejoheshin të udhëtonin dhe të ishin prezent në Anfield në atë kohë”, ka thënë Martinez-Almedia për “Onda Cero”. “Ishte gabim. Edhe në atë kohë është dashur të tregonim më tepër kujdes”.
Qeveria e Britanisë ka mbrojtur vendimet për të lejuar ngjarjet e mëdha si lojën në Anfield dhe garën e kalërimit “Cheltenham Festival” që të mbahen , ndonëse 10-ditë më vonë u vendosën masat e distancës sociale.
Në Cheltenham Festival ishin më tepër se 250 mijë persona dhe hulumtuesit e Edge Health, kanë thënë se Cheltenham ka çuar te 37 vdekje shtesë nga koronavirusi.