Ndeshja në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhet në terminin e caktuar më herët nga UEFA – 26 mars.
Por ajo që nuk dihet ende është se nëse kjo ndeshje do të lejohet të zhvillohet me shikues.
Mundësia që kjo ndeshje të luhet pa shikues, nëse situata me koronavirusin përkeqësohet, është e hapur.
E nëse vendoset që ndeshja të luhet me shikues, në Maqedoni vlerësojnë se janë gati që kjo përballje e rëndësishme për të dyja vendet të kalojë pa incidente.
Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosova luhet në Shkup, në kuadër të Ligës D të Ligës së Kombeve, dhe nga autoritetet në Maqedoni dhe UEFA është vlerësuar e rrezikshmërisë së lartë.
Për të kaluar pa incidente, autoritetet e shtetit fqinj kanë bërë edhe planin për parandalimin eventual të ndonjë problemi që mund të shkaktohet nga përkrahësit e Maqedonisë dhe shqiptarëve në përkrahje të Kosovës.
Për të mos pasur ndonjë konfrontim në mes dy tifozerive, zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore, Faton Zylbehari, ka treguar se siguria do të jetë më e lartë se në ndeshjet e tjera që janë luajtur në Shkup.
“Ndeshja do të luhet më 26 mars në Shkup, por ende nuk ka ndonjë vendim se a do të luhet me shikues apo jo. Por, duke pasur parasysh se është ndeshje historike për të dyja vendet, dhe fakti që është vendosur të luhet në Shkup, janë mobilizuar në Maqedoni dhe Kosovë. Janë mobilizuar maksimalisht Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Jashtme e të dyja vendeve dhe UEFA. I gjithë ky mobilizim është bërë që gjithçka të kalojë pa problem. Në këtë drejtim ka pasur takime dhe do të vazhdojnë të kenë nga policia e të dyja vendeve, federatat e ministritë, që kjo ndeshje të organizohet në mënyrën më të mirë që nga nisja e tifozëve të Kosovës, Maqedonisë dhe grupeve të tifozëve të tjera”, ka thënë Zylbehari për gazetën.
Në fakt, vendimi përfundimtar se a do të luhet me apo pa shikues i takon Ministrisë së Shëndetësisë. Vendimin, përkatësisht rekomandimin e Ministrisë, do ta respektojë Federata e Futbollit e Maqedonisë.