Albert Bunjaku bën karrierë në kategorinë e tretë gjermane, ndërsa Bayern Muencheni ka shkëlqyer në rrugën drejt finales së Ligës së Kampionëve. Bayerni ishte top-skuadër edhe në verën e vitit 2008. Por, në një ndeshje, Bunjaku e kishte vënë në situatë shumë të keqe gjigantin gjerman të futbollit.
Bëhet fjalë për ndeshjen e rrethit të parë të Kupës së Gjermanisë të luajtur më 10 gusht 2008. Bunjaku ishte pjesë e Erfurtit, që u përball me Bayernin. Bayerni fitoi 4:3 në Erfurt para rreth 22 mijë shikuesve, por i gjithë shkëlqimi ishte për Bunjakun, që u aktivizua në fillim të pjesës së dytë dhe realizoi dy gola. Për Bayernin fitorja 4:3 nuk ishte rezultat i pritur. Drejtuesit e klubit kishin shpresuar në një fitore shumë më të thellë e më të lehtë ndaj skuadrës së kategorisë së tretë.
Gazeta e madhe gjermane “Bild” ka shkruar të enjten një shkrim për shkëlqimin e sulmuesit Bunjaku në atë takim. Sipas “Bildit”, dështimi i Bayernit e kishte bërë fitues Bunjakun, tani 36-vjeçar. Bunjaku në atë takim kishte shënuar për 2:2 e më pas edhe për 3:3. Por, Toni Kroos kishte shënuar golin e fitores për Bayernin në minutën e 80-të. Për Bayernin kishin luajtur edhe Philipp Lahm, Lukas Podolski, Miroslav Klose, Ze Roberto, Mark van Bommel e yje të tjerë të futbollit. Juergen Klinsmann kishte debutuar në postin e trajnerit të Bayernit në atë sfidë në Erfurt.
Bunjaku atë mbrëmje nuk do ta harrojë kurrë. Sipas “Bildit”, ajo ndeshje ishte më e rëndësishmja në karrierën e Bunjakut.
“E ardhmja e karrierës sime është varur nga ajo ndeshje. Unë e dija këtë. Në fund unë isha përfituesi më i madh i ndeshjes”, ka thënë Bunjaku për “Bildin”.
Ai ka luajtur për Zvicrën në Botëror. Më pas ishte pjesë edhe e Kosovës. Karriera e tij është e madhe. Tashmë Bunjaku është pjesë e Viktoria Koeln, skuadër që garon në kategorinë e tretë. Vazhdon të shënojë shumë gola, ndërsa javë më parë ka vazhduar kontratën.