Fitorja vlerësohej shumë e rëndësishme. Gjasat që ekipi kundërshtar, Arkatroni bjellorus, të kalohej thuajse nuk ekzistonin. Por prapë fitorja kishte vlerë të madhe. Ndeshja po luhej në një moment të madh. Atmosfera ishte e zjarrtë, festive. Dhe vetëm fitorja i shkonte përshtati momentit.
Ishte mbrëmja e 16 shkurtit të vitit 2008. Tashmë të gjithë në vend e dinin se të nesërmen do të shpallej Pavarësia e Kosovës. Festa kishte nisur ditë më parë, shkruan sot Koha Ditore. Dhe ishin hendbollistët e Prishtinës që kishin rastin t’i paraprinin shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me një fitore në skenën evropiane. Ata nuk e lëshuan rastin.
37:36 ishin shifrat në të mirë të Prishtinës në përballje me Arkatron Minsk, në ndeshjen e dytë të një të tetës së finales së Challenge Cup në hendboll për meshkuj. Ndeshja e parë mes dy skuadrave ishte luajtur më 9 shkurt në Minsk të Bjellorusisë.