Spanja nuk e ndërron “qëndrimin e saj konstruktiv” për mosnjohjen e Kosovës

Prishtinë | 28 Nën 2021 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Spanja e ka rikonfirmuar veten edhe një herë në vendimin e saj për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, ndonëse ka mbrojtur se mban një “qasje konstruktive” për këtë çështje që kalon përmes mbështetjes së zgjidhjes me dialog të mosmarrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje parlamentare për deputeten e Junts, Mariona Illamola, e cila kishte pyetur për qëndrimin e saj në lidhje me “aspiratat e Kosovës” për të hyrë në BE.

Qeveria e Spanjës, në një përgjigje, të cilën e ka “Europa Press”,ka konfirmuar qëndrimin “për mosnjohjen e deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008, pasi është një akt i njëanshëm”.

Megjithatë nga Qeveria thuhet se “nga një këndvështrim konstruktiv, konsiderohet se është koha për të bërë përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së territorit të Kosovës në kuadër të dialogut Beograd – Prishtinë, me një marrëveshje që respekton të drejtën ndërkombëtare”.

Sa i përket aspiratës së Kosovës për të hyrë në BE, Qeveria ka thënë se është aktivisht në favor të politikës së zgjerimit të BE-së dhe beson plotësisht në nevojën për t’i dhënë një shtysë të re inkuadrimit të Ballkanit Perëndimor.

Illamola kishte pyetur Ekzekutivin edhe për Samitin e mbajtur në Slloveni mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në tetor, ku mori pjesë edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Deputetja katalunase kishte pyetur nëse Qeveria konsideron se po dëmtohet imazhi i Spanjës me vendosjen e vetove ndaj flamujve e simboleve të një vendi si Kosova. Ajo i ishte referuar faktit se për të lehtësuar pjesëmarrjen e Sanchezit dhe krerëve të vendeve tjera të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, u vendos të mos përdoreshin simbole në këtë ngjarje.

“Pozicioni i mosnjohjes nuk nënkupton ndërprerjen e pjesëmarrjes”, u tha nga Qeveria e Spanjës, ndërsa për pjesëmarrje ka thënë se është dashur të plotësohen disa kushte të dakorduara brenda BE-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme