Ndezja e gomave dënohet me ligj

Prishtinë | 30 Pri 2017 | 12:40 | Nga

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, paralajmërojnë ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj, gjegjësisht ndezja bëhet me 30 Prill në mbrëmje.

Ligji për mbrojtjen e ajrit gjegjesisht Udhëzimi Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave. Me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë.
Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.

Dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

Ndezja e zjarreve të tilla, veçanërisht gjatë ditës së nesërme, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj.

Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar fëmijë, ose janë djegur sipërfaqe të tëra me pyje.

Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.
Ministria e Mjedisit bënë me dije se gjatë ditës së sotme janë angazhuar inspektorët e saj, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre do të dënohet sipas ligjeve ne fuqi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme