Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), më mbështetjen e USAID-it, organizon konferencën dyditore për të shënuar Javën e Gruas.
Tema kryesore e Javës së Gruas 2022 do të jetë “Në mbrojtje të demokracisë: Gjithëpërfshirja ka rëndësi” ndërsa në panelet diskutuese përgjatë dy ditëve, më 15 dhe 16 mars, do të trajtohet progresi i grave në politikë dhe çfarë mbetet për t’u bërë nga partitë politike dhe institucionet qeveritare për të përshpejtuar barazinë gjinore.
Do të diskutohet, po ashtu, dhuna ndaj grave në politikë (në internet) dhe si e pengon angazhimin e grave në politikë dhe ato që synojnë t’i bashkohen jetës publike; llogaridhënia në qeverisjen lokale dhe buxhetimi i përgjegjshëm gjinor; rëndësia e avancimit të agjendës së vendit për fuqizimin e grave dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën publike.
Java e Gruas (WOW) është një ngjarje vjetore në nivel vendi që mbledh në një mjedis ndëretnik, më shumë se 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave udhëheqëse dhe mbështetjes së tyre për marrjen e pozicioneve më të mëdha drejtuese.
Gjatë nëntë vjetëve të fundit, WOW ka ofruar një platformë për debat mbi politika dhe diskutim intensiv me liderë politikë dhe zyrtarë të zgjedhur. Kjo u mundëson pjesëmarrësve t’i mbajnë përgjegjës
përfaqësuesit e tyre dhe në të njëjtën kohë të mbështesin zhvillimin e shkathtësive për gratë në
lidership në politikë.
Në ditën e parë t]ë konferencës që nis nga ora 10:00, në Hotel “Emerald”, fjalët hyrëse do të mbajnë presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, si dhe ambasadori i ShBA-së, Jeffrey M. Hovenie.
Ndërsa nga ora 10:40, mbahet diskutim me temën “Momentum i ri për demokracinë e Kosovës: Mundësitë për pjesëmarrje të barabartë gjinore në parti politike”.
Marrin pjesë Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes; Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së; Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së; Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së; dhe Emilija Rexhepi, kryetare e NDS-së.
Nga ora 14:00, Jacqueline O’Neill, ambasadore e Kanadasë për Gra, Paqe dhe Siguri, flet për mbrojtjen e gjithpërfshirjes së grave në politikë; kurse nga 14:20 diskutimi vazhdon me temën “Demokracisë i duhet siguria: Hapësirë digjitale pa dhunë ndaj grave në politikë”.