Nuk e di për cilën ‘ndihmë’ ushtrake të Kosovës për Ukrainë është fjala por Qeveria paska përmend sot që “Rusia ka fillu me e sulmu Kosovën me sulme hibride”. Këtu ka disa gjëra që kërkojnë sqarim.
- Është paksa e çuditshme se çfarë ndihme ushtarake Kosova mundet me i ofru Ukrainës, për shkak se ne nuk prodhojmë asgjë. Armatimi që i duhet Ukrainës është i sofistikuar dhe atë mund ta bëjë SHBA, Anglia dhe vendet e Bashkimit Europian, sidomos Gjermani dhe Franca. E Kosova jonë e vogël që nuk ka armatim as për vehtën e saj të mbrohet nga Serbia e vogël po dëshiron me ndihmu Ukrainën me u mbrojtë e me luftu me Rusinë…
- Kjo diplomaci tingëllon në parim dhe me informacionet e pakta që i kemi në publik si një budallallëk i radhës në diplomaci të Kosovës. Kosova duhet të përkrahë Ukrainën dhe duhet të harmonizoj qëndrimet me SHBA dhe BE-në, por në asnjë mënyrë Kosova nuk është një hisetar që ka kapacitet me u përfshi direkt në luftën e Ukrainës. As nuk ka armatim, as eksperiencë, as shkathësi, as resurse financiare me i ndihmuar Ukrainës.
- Në këtë kontekst, puna më e mirë, diplomacia më e duhur, e Kosovës është e jetë sa më neutrale. Jo që ne nuk i kuptojmë vuajtjet e Ukrainës, ato i dijmë më mirë se gjithkush tjetët në botë, por ne nuk kemi në pozitë të mbrojmë as vehtën. Rrjedhimisht, secili pozicion ‘i paarsyeshëm’ i Kosovës mund të i kushtoj shtrejt sigurisë së saj kombëtare. Qeveria e Kosovës mund të bëjë shumë më shumë dëme vehtës sesa të i sjellë dobi ukrainës me ndihmën e saj? Fundja, cfarë ndihme, ato 4-5 dronët në total që i kemi?
- Këto qëndrime dhe lëvizje diplomatike të Qeverisë së Kosovës nuk janë të reja. Kryeministri dhe Presidentja nuk kanë lënë mundësi në konferenac ndërkombëtare pa folur publikusht për Ukrainën dhe Rusinë. Kryeministri duket që e njef Rusinë e Putinit, por ai nuk është një këshilltar privat të jap këshilla qeverive të botës. Kur ai flet në emër të Kosovës, duhet të mendoj për interesin, pozitën, qëndrimet dhe pasojat që diskursi i tij mund të sjellë për sigurinë e vendit.
- Dje u kapën, cfarë duket, dy operativë Rus duke u futur ilegalisht në Kosovë. Kjo mund të tregoj për përfshirjen e tyre në veri të vendit. Në këtë situatë kaq fragjile kur konteksti ndërkombëtar është në tranzicion me një përfundim që askush se di cili është, Kosova duhet të jetë jashtëzakonisht e matur në veprimet e saja.
- Ndihma që Kosova mund të ja bëjë Ukrainës ushtarakisht është e padobishme dhe nuk ndikon apo ndyshon asgjë në terren atje. Dëmi që Kosova mund të i bëjë vehtës dhe sigurisë së saj kombëtare me këto lëvizje është i lartë. Kosova duhet të sillet në maturi dhe të fokusohet në de-përshkallëzimin e situatës në veri dhe në mbrojtjen e integritetit të saj territoriale, sidomos në periudhën e ardhshme.
Ky akt i qeverisë së Kosovës për të ndihmuar Ukrainën ‘ushtarakisht’ është një akt dashamirës. Kosova e vogël po mundohet të bartë mesazhin që ‘edhe ne po ju ndihmojmë me atë që mundemi’. Por në kontekstin e sigurisë aktuale të rajonit dhe Europës, Kosova duhet të jetë shumë më e kujdesshme dhe më e mature. E gjithë infrastruktua edhe arkitektuar globale e sigurisë është në tranzicion. Ndryshime teknotike mund të ndodhin gjatë periudhës së ardhshme.
E Kosova ende nuk ka takatin e saj për të mbrojtur vehtën nga sulmi i një ushtrije modeste dhe nuk ka as sisteme mbrojtës e as avionë luftarak. Me shumë gjasë as nuk kemi ende bunkerë apo strehimore në qytetet e as në kryeqytet. Kosova as që ruan sovranitetin dhe kufinjët e saj vet. Në rast të ndryshimeve strukturale ndërkombëtare, do të mund të mbetet shumë vulnerabël në aspektin e sigurisë.
Për atë arsye, pa u bërë Kosova e zonja e vehtës për tu mbrojtur nga armiqët potencial të saj, duhet pasur kujdes të shtuar. Jo gjithmonë një qëllim i mirë sjellë rezultate pozitive. Një vend i vogël me situatë si Kosova më së miri është të jetë i parëndësishëm në diskutimet dhe veprimet e sigurisë ndërkombëtare. Kjo për shkak se në një sulm eventual, vështirë që do të kthehen rrethanat e vitit 1999 ku e gjithë bota perendimore e ndihmoj nga shkatërrimi total i saj.