Pandemia COVID-19 ka shkaktuar sfida të shumta të cilat kanë prekur çdo aspekt të jetës njerëzore. Përveç shëndetit publik, pandemia ka rrezikuar sidomos sektorin e ekonomisë. Në këtë situatë grupet në pozita më të pafavorshme social-ekonomike, sikurse gratë, janë prekur skajshëm, gjë që e ka thelluar edhe më tutje pabarazinë gjinore.
Kosova për vite me radhë është përballur me shkallë të lartë të papunësisë si pasojë e zhvillimit të ulët ekonomik. Shkalla e papunësisë në vitin 2019 është raportuar të jetë 25.7%, me 34,4% gra të papunësuara krahasuar me 22.6% burra të papunësuar. Dallimi gjinor është dukshëm më i madh në fuqinë punëtore joaktive, ku gratë përbëjnë 78.9% të saj, krahasuar me burrat të cilët përbëjnë 40.3%.
Kjo situatë është përkeqësuar dukshëm nga pandemia COVID-19 dhe masat parandaluese ndaj saj. Për dallim nga punëtorët e sektorit publik, 65% e të punësuarve në sektorin privat, në një hulumtim të opinionit publik nga D4D të realizuar në qershor 2020, deklarojnë se janë ndikuar negativisht nga pandemia. 28.8% e të anketuarve deklaruan se janë dërguar në pushim pa pagesë, 20.4% nuk e kanë pranuar pagën e plotë dhe 3.5% prej tyre iu është ndërprerë kontrata e punës. Të anketuarit pa të ardhura personale dhe ata me paga minimale besojnë se punësimi i grave pas pandemisë do të jetë shumë i vështirë në krahasim me ata me paga më të larta.
Punësimi i grave në situatë pandemie mbetet sfidues për shumë arsye. Punësimi në sektorin publik vazhdon të mbetet peng i normave shoqërore të cilat iu sigurojnë grave punësim në sektorë të caktuar si dhe mos vullnetit politik për të zbatuar kërkesat e Ligjit për Barazi Gjinore. Ndërsa në sektorin privat barrierat e punësimit të grave janë edhe më të mëdha. Në një krizë të tillë ekonomike diskriminimi i grave në punësim në sektorin privat bëhet edhe më i dukshëm. Në mungesë të mundësisë për të mbuluar shpenzimet e pushimit të lehonisë, shumica e bizneseve janë të prira që të mos punësojnë gra apo do të diskriminojnë ato në bazë të statusit të tyre martesor. Ndërkohë, defektet dhe kapacitetet e munguara të mekanizmave për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve do të mundësojnë që diskriminimi gjinor në punësim dhe paga do të mbetet praktikë e përhapur.
Nga numri i përgjithshëm i bizneseve të regjistruara vetëm 17% e tyre janë në pronësi apo bashkëpronësi të grave, prej të cilave 30% janë biznese individuale. Shkalla e punës joformale te gratë mbetet e lartë me një numër te madh te tyre si ofruese të shërbimeve brenda familjeve, sikurse ndihma në punët e shtëpisë dhe kujdesi ndaj fëmijëve. Derisa gratë ofrojnë shërbime të tilla me pagesë në familjet e tjera, në familjet e tyre kjo llogaritet si punë e papaguar. Madje gjatë kohës së pandemisë gratë e punësuara të cilat kanë punuar nga shtëpia njëkohësisht janë përballur edhe me barrën e kujdesit shtëpiak e familjar.
Masat e përkrahjes ekonomike nga Qeveria e Kosovës janë kritikuar për mos adresim të sfidave dhe nevojave të grave. Vlerësohet se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike nuk është në shërbim të nevojave të grave. Mundësia që ky ligj ofron për tërheqjen e 10% të shumës së kursimeve pensionale të qytetarëve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, nuk është ndihmë adekuate për gratë marrë parasysh shkallën e ulët të punësimit të tyre si dhe nivelin e ulët të pagesës e cila përkthehet në mungesë apo shumë të ulët të kursimeve pensionale, dhe rrjedhimisht në mungesë apo përkrahje të kufizuar nga ana e Qeverisë. Gratë po ashtu kanë qasje të limituar në Fondin për Garanci Kreditore si pasojë e pronësisë së kufizuar të tyre si edhe mungesën e përfitimit nga politika e lirimit nga TVSH-ja për bizneset. Në vazhdën e kritikave zë vend edhe mungesa e vullnetit të Qeverisë për të ofruar përkrahje për bizneset joformale krahas stimulimit të tyre për të kaluar në ekonomi formale, me ç ’rast vlerësohet se gratë do të ishin përfituese.
Në rrafshin e punësimit ekziston nivel i ulët i bashkërendimit të politikave qeveritare. Të dhënat tregojnë një raport jo proporcional në mes të numrit të grave me arsimin universitar dhe nivelit të tyre të punësimit në krahasim me burrat. Shpeshherë kërkesat e tregut të punës diktojnë që burrat të jenë përfitues më të mëdhenj se sa gratë. Mungesa e politikave të integruara të arsimimit me ato të punësimit e dëmton çështjen e punësimit të grave në aspektin afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Aktualisht Agjencia e Punësimit ndërmjetëson punësimin në sektorin privat, por jo edhe atë publik. Punëkërkuesit e regjistruar në Zyrat e Punësimit marrin shërbime të aftësimit profesional për të bërë përgatitjen e tyre për punë të caktuara profesionale. Shpeshherë punëkërkuesit e regjistruar me arsimim universitar trajnohen për punë të caktuara profesionale në mënyrë që të iu lehtësohet qasja në punësim, meqë profili i arsimimit të tyre universitar nuk iu siguron atë.
Para pandemisë Agjencia për Punësim dhe zyrat e saj nuk ishin aq të popullarizuara. Në një hulumtim të opinionit publik nga D4D në vitin 2019, 51.7% e të anketuarve deklaruan se nuk kishin dëgjuar për zyrat e punësimit në komunat e tyre dhe 82.5% e tyre nuk ishin të regjistruar si punëkërkues pranë tyre. Njëra nga masat e Pakos Emergjente Fiskale, e aprovuar në muajin mars 2020, e cila kërkonte që përfituesit e saj të jenë të regjistruar si të papunë, ka ndikuar që një numër i madh i të papunëve të lajmërohen pranë Zyrave të Punësimit. Hulumtimi po ashtu tregon se arsyet që të anketuarit kishin kontaktuar me Zyrat e Punësimit ishin për përfitim nga Pakoja Emergjente (6.6%) si dhe për shkak se kishin humbur vendet e tyre të punës (2.5%). Kjo kategori e të anketuarve kishte deklaruar nivel elementar të arsimimit si dhe të ardhura minimale e punësim në sektorin privat.
Adresimi i çështjes së papunësisë së grave vë në pah nevojën e pashmangshme për një qasje gjithëpërfshirëse me theks në zbatimin e mirëfilltë të dispozitave të Ligjit për Barazi Gjinore, sikurse aplikimi i analizave gjinore e buxhetimi i përgjegjshëm gjinor; hartimin e politikave të integruara të punësimit; orientimin gjinor të politikave fiskale në nivelin lokal dhe qendror; aplikimin e stimujve për bizneset e grave; adresimin e diskriminimit në vendin e punës dhe punësimin e grave; si dhe shqyrtimin të shkëputjes së njëanshme të kontratave të punës gjatë kohës së pandemisë dhe pas saj.