Dhjetëra të rinj janë mbledhur sonte para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, me ç’rast kanë ndezur qirinj në kujtim të 16-vjeçarit Aulon Zeka, i cili u gjet i vrarë dy ditë më parë, në afërsi të shkollës “Model”, në lagjen Arbëria.
Atyre iu është bashkuar dhe ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, raporton Ekonomia Online.
Ftesa për këtë ngjarje solidarizuese është bërë nëpërmes rrjeteve sociale.
“Qytetarë të nderuar, ju që bashkë ndjeni dhe dënoni dhunën dhe vrasjet, ejani sonte, që së bashku të ngrisim zërin kundër fenomeneve të tilla. Solidarizimi ndaj vdekjes së Aulonit ende të mitur, le të jetë kërkesë për dënim për të papërgjegjshmit dhe mizorët. Auloni le të jetë i fundit ai që merr dhimbjen e një shoqërie të pavëmendshme, e një sistemi të dobët të drejtësisë, një pasigurie të vërejtshme dhe të një shteti jofunksional”.
“Solidarizohuni me humbjen e të një pafajshmi sot, për të mos u përsëritur dhe nesër!”, theksohej në ftesë.