Ndotja e detit, i vetmi problem mes Shqipërisë e Kroacisë

Prishtinë | 16 Mar 2018 | 08:16 | Nga

Shqipëria dhe Kroacia kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, ndërsa i vetmi problem i identifikuar mes dy vendeve është çështja e ndotjes së detit. Kështu është konstatuar pas takimit të zëvendëskryeministres dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Marija Pejqinoviq-Buriq, me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, të enjten në Tiranë, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas njoftimit nga MPJ-ja, ministri Bushati i vlerësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë si të shkëlqyera, të qëndrueshme, pa asnjë çështje të hapur dhe me ecuri pozitive ndër vite.

“Midis vendeve tona zhvillohet një dialog politik intensiv, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe për situatën në rajon e më gjerë”, ka thënë Bushati, duke cilësuar palën kroate si një bashkëpunëtore të afërt në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe që ka mbështetur plotësisht procesin e zgjerimit evropian, dhe përfshirjes së të gjitha vendeve të rajonit në BE.

Dy ministrat deklaruan se presin rekomandimin për hapjen e bisedimeve në raportin e vlerësimit të Komisionit, që do të publikohet në muajin prill, si dhe përkrahjen e tij nga shtetet anëtare të BE-së, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave të Shqipërisë dhe stabilitetit demokratik të rajonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme