Ndryshimet klimatike, “kërcënimi më i madh shëndetësor” i shekullit

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Rritja e nxehtësisë dhe moti i egër nga ndryshimet klimatike janë “kërcënimi më i madh shëndetësor i shekullit 21”, thonë zyrtarët mjekësorë.

Në një raport të publikuar në revistën ndërkombëtare mjekësore The Lancet, shkencëtarët dhe ekspertët shëndetësorë thonë se ndikimet e ndryshimeve klimatike – nga valët e nxehtësisë deri te stuhitë dhe nga përmbytjet deri te zjarret – janë rritur dhe kërcënojnë të godasin sistemet shëndetësore.

“Stuhitë dhe përmbytjet jo vetëm që shkaktojnë plagë direkte, por mund të mbyllin spitale, të nxisin shpërthime të sëmundjeve dhe të prodhojnë probleme të vazhdueshme të shëndetit mendor”, tha Nick Watts, drejtor ekzekutiv në Lancet Countdown, një program vjetor që përcjell lidhjet midis shëndetit publik dhe ndryshimeve klimatike.

Zjarret, në mënyrë të ngjashme, plagosin njerëz, por gjithashtu rrisin ndjeshëm ndotjen e ajrit në zona të gjera.

Zjarret e fundit në Kaliforni, të nxitura nga thatësirat, kanë kushtuar më shumë se 80 jetë njerëzush, por kanë ndotur edhe ajrin deri në lindje të Masaçusetsit, tha Gina McCarthy, ish-udhëheqëse e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA, tani në shkollën publike shëndetësore të Universitetit të Harvardit.

Raporti në Lancet, i hartuar nga mjekë, akademikë dhe ekspertë të politikave nga 27 organizata në gjithë botën, bën thirrje për veprim të shpejtë, për të frenuar ndryshimet klimatike dhe për të përgatitur sisteme shëndetësore globale për sfidat në rritje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme