Hetimet për vepra penale si krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit e gjenocid, nuk do të kenë kufizimin kohor prej dy vjetësh që parasheh Kodi i Procedurës Penale.
Në Kuvend, është proceduar projektligji për ndryshime të kodit, që parasheh hetime deri në 5 vjet, e në raste të jashtëzakonshme, derisa të jetë e nevojshme, për veprat e tilla, raporton KTV.
Megjithatë, hetimet, me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake, mund të vazhdohen për aq kohë sa është e nevojshme, në rrethana kur hetimi është i ndërlikuar e në rrethana të jashtëzakonshme.
Ndryshimet e propozuara, sipas Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare, janë të mirëpritura, por që do të duhej të futeshin në fuqi më herët.
Një prej përfituesve nga ky ndryshim i Kodit, sipas Blakajt, do të jetë Departamenti për Krime Lufte, që funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale nga viti i kaluar.
Ky projektligj, do të shqyrtohet në seancën e 30 nëntorit, ndërsa me propozimin e Komisionit Funksional për Legjislacion, si shqyrtimi i parë dhe i dytë, do të bëhen në seancën e njëjtë.