Nisur nga zotimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes, bazuar në kompetencat dhe përgjegjësit ligjore, Ministri i Financave Avdullah Hoti nxori vendim për ndryshimin e Normës për llogaritjen e Interesit vjetor për obligimet e papaguara tatimore brenda afateve ligjore.
Duke pasur parasysh se faktorët me të cilët lidhet aplikimi i Normave të Interesit vjetor për obligimet e papaguara tatimore brenda afateve ligjore kanë ndryshuar gjatë vitit 2016, bazuar në dispozitat e paragrafit 4 të nenit 28 të Ligjit nr. 03/l-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat mund të nxjerr një vendim të tillë për ndryshimin e normës (%) për llogaritjen e interesit, duke u bazuar në trendët e shkallëve të interesit të bankave tregtare dhe huadhënieve në Kosovë gjatë periudhës paraprake.
Bazuar në të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës, normat e interesit kanë pësuar ndryshime të dukshme, ku norma mesatare e interesit në të gjitha llojet e kredive të dhëna për Korporatat jo-financiare (bizneset apo kompanitë) ka rënë për 1.17 pika të përqindjes; në 7.02% në mesatare nga 8.19% sa ishte vitin e kaluar.
Duke pasur parasysh arsyeshmërinë e mësipërme për normat vjetor të Interesit për obligimet e papaguara tatimore të aplikuara deri më tani 8.40%, përkatësisht 1.20%, është bërë ndryshimi në:
o 7.80% vjetore – norma e lartë që aplikohet tek tatimpaguesit për obligimet e pa paguara dhe vonesat, apo 0.65% mujore;
o 1.44% vjetore – norma e ulët e aplikuar për rimbursimet e vonuara dhe ri-pagesat e tatimit të kontestuar të mbajtur nga ATK-ja apo 0.12% mujore.
Një harmonizim i tillë i normave do të siguronte një trajtim më të drejtë të bizneseve, meqë paraqet një lehtësim për ata tatimpagues që duan të përmbushin obligimin e vonuar ndaj ATK-së.