Në 20 vjetorin e rënies përkujtohen Dëshmorët e Kombit, Driton Islami – Toni dhe Sadik Bega – Murtaja

Ferizaj | 18 Pri 2019 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesin e sotëm, në kompleksin memorial të Varrezave të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mblodhën qindra qytetarë për të nderuar jetën, sakrificën dhe veprën e Dëshmorëve të Kombit, Driton Islami – Toni dhe Sadik Bega- Murtaja, në 20 vjetorin e rënies së tyre heroike.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mexhide Mjaku Topalli, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyqi, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Gafurr Bytyqi, zëvendësministri i Financave, Mustafa Grainca, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të organizatave të dalura nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve ishin në krye të homazheve që u bënë sot për dy viganët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë heroikisht në altarin e lirisë për çlirimin e Kosovës. Kurora lulesh, nderim dhe me minutë heshtje, qindra qytetarë u përkulën pranë varreve të Dëshmorëve të Kombit, Driton Islami – Toni dhe Sadik Bega – Murtaja në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj.

Familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët kujtuan me dhembje e pikëllim, krenari dhe faqebardhë sakrificën e Dëshmorëve të Kombit, Sadik Bega dhe Driton Islami.

“Është krenari dhe dhembje që humbën dy bashkëluftëtarët tonë, dy komandantë të zotë të cilët asnjëherë nuk e ndalën aktivitetin e tyre luftarak për këtë ditë që po e festojmë sot në 20 vjetorin e tyre jubilar. Dhembja gjithmonë është prezente për shkak se ndanim të mirat dhe të keqen ne së bashku, por edhe krenaria është prezent që kishim fatin të ishim afër tyre në ditët më të vështira për lirinë e Kosovës” tha Nexhat Shahini, bashkëluftëtar dhe përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj.

Përveç në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, homazhe për dy Dëshmorët e Kombit, Sadik Bega dhe Driton Islami u bënë edhe në vendin e rënies së tyre në fshatin Slivovë, pranë pllakës përkujtimore në hyrje të fshatit si dhe pranë shtatoreve të dy Dëshmorëve të Kombit, Sadik Bega dhe Driton Islami.

Të ngjashme