Në 20-vjetorin e vdekjes, kërkohet të zbardhet vrasja e Enver Malokut

Prishtinë | 11 Jan 2019 | 11:53 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me nderim u përkujtua Enver Maloku, në 20-vjetorin e vrasjes së tij, me një akademi përkujtimore të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), raporton Ekonomia Online.

Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, tha se pa veprimtarinë e Enver Malokut, Kosova nuk do të ishte as e lirë e as e pavarur, ndërsa e cilësoi si model për brezat e ardhshëm.

“Veprimtaria e Enverit, krahut të djathtë të presidentit tonë historik, Ibrahim Rugova, ka lënë gjurmë të pashlyera në publicistikën kosovare. Gjatë viteve të 90-ta Serbia e shkeli Kosovën me tanke, i persekutonte shqiptarët, i largoi nga puna, na i largoi fëmijët nga shkolla, me një fjalë Kosova ishte në terr”.

“Presidenti me një grup intelektualësh artikulonte kërkesat e shqiptarëve, por zëri i tyre me shumë vështirësi depërtonte në arenën ndërkombëtare. Rugova ia besoi Enverit çështjen e informimit”.

“Enveri ishte burrë i mençur, por edhe i guximshëm, ai asnjëherë nuk bëri kompromis me të vërtetën dhe ato që i bëheshin popullit shqiptar. Roli i tij është i pazëvendësueshëm. Të thuash të vërtetën në atë kohë ka qenë shumë e vështirë”.

Veliu kërkoi zbardhjen e vrasjes së Malokut, duke thënë se drejtësia duhet të vihet në vend.

“Herën e parë të atentatit, mesazhi ishte shumë i qartë, kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë. Me emrin e Enverit fjala u shqiptua guximshëm, e pacenueshme”.

“Vrasja e Enverit nuk është zbardhur ende. Qëllimi i vrasjes se tij kishte të bënte me shuarjen e lirisë. Liria e Kosovës do jetë e mangët deri sa nuk zbardhet kryesi dhe porositësi i këtij krimi. Gjaku nuk bëhet ujë, drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet”.

Akademiku, Sabri Hamiti, ka thënë se për njëzet vjet, Enver Maloku ka qenë një nga publicistët më të rëndësishëm të Kosovës, duke e quajtur atë gazetar të luftës dhe rezistencës.

“Lajmi qe ndodhia e tij, urtia qe ndodhia e tij. Për një decenie u bë kronikani më i rëndësishëm. Krijoi një formë gazetaria që është kurorë e të dhënave të ditës. Enver Maloku u bë zë autentik, ishte i admiruar, por edhe i kundërshtuar”.

Ndërsa, kujtoi ditën e vrasjes së Malokut, gjatë së cilës tha se edhe vetë kishte pasur një atentat.

“Kur e vranë në Breg të Diellit në vitin 1999, unë vetë isha i shtrirë në ‘Dardani’ duke e mbijetuar atentatin, atëherë më doli fjala u ‘zu dielli në Breg të Diellit në Prishtinë'”.

“Krimi ndodhi, kush e bëri krimin edhe pas 20 vjetësh shqiptohet përgjigjja e shtjerrët, që nuk dihet. Thuhet se veprimi nuk vjetrohet, por nëse nuk gjykohet rinohet. Krimi nuk mund të gjykohet nëse nuk ka institucione të pavarura”.

Doruntinë Maloku, e bija e Enver Malokut dhe deputete në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së babait të saj dhe drejtësi.

“Kosova po bëhet, por larg ëndrrave të Enverit, sepse drejtësia nuk po bëhet as për babin, as për axhën Xhemajl Mustafa. Ne kemi nevojë që pas kaq shumë vjetësh ta dimë të vërtetën”.

Të ngjashme