Në 22-vjetorin e protestave të studentëve, Dema bëri homazhe në nderim të ish- rektorit Statovci

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 22-vjetorit të protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektori Marjan Dema ka bërë homazhe tek ish-rektorati në Velani, në nderim të ish-rektorit Ejup Statovci.

Duke e konsideruar ish-rektorin Statovci si një rektor historik, i pari i universitetit e quajti 1 tetorin si një ditë të veçantë.

“Sot, në Universitetin e Prishtinës fillon viti i ri akademik dhe arsyeja tjetër se pse kjo ditë është e veçantë është kjo që para 22 vjetësh, pikërisht nga ky vend, nën udhëheqjen e rektorit historik Ejup Statovci, studentët e UP-së ia mësynë ndryshimit pozitiv, i cili edhe më vonë ndodhi”, tha rektori Dema.

Ndërsa, e bija e ish-rektorit Ejup Statovci, Anila Statovci, në emër të familjes, e falënderoi rektorin Dema për përkujtimin e veprës së babait të tyre.

“Rinia e një vendi është forca lëvizëse e saj. Andaj, jam krenare që babi im ishte njëri ndër ata që inicioi transformimin pozitiv për Kosovën”, tha ajo.

Ejup Statovci ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik dhe rektor i Universitetit të Prishtinës prej vitit 1991 deri më 1997.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme