UP shënon 49-vjetorin e themelimit, Dema thirrje që të mos ketë ndërhyrje politike

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 10:18 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti i Prishtinës ka shënuar 49-vjetorin e themelimit të tij, me ç’rast rektorët e Universiteteve Publike shqiptare kanë mbajtur konferencë, raporton Ekonomia Online.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, e ka quajtur moment historik themelimin e Universitetit të Prishtinës, teksa ka bërë apel tek qeveritarët që të mos ndikojnë politikisht.

“Një ditë shumë e madhe e 49-vjetorit të themelit të UP-së “Hasan Prishtina”. Ishte një moment shumë historik themelimi i këtij universiteti. Marrja e barrës që ta ndryshojë atë mentalitet, atë kulturë në një kohë të vështirë”

“… por ky universitet në mënyrën më të mirë e dha provimin duke u ballafaquar me shumë probleme të natyrave të ndryshme, qofshin politike apo probleme tjera gjatë tranzicionit. Jemi krenarë që UP-ja nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sa është sot në këto ditë”, tha Dema.

Ai ka kërkuar mbështetje për ngritjen e cilësisë në arsim duke përmendur cilësinë e mësimdhënësve, nivelin e hulumtimeve shkencore dhe punës artistike në shumë fusha.

“Kërkojmë që ta kemi mbështetjen që ta ngrisim cilësinë e mësimdhënies,  nivelin e hulumtimeve shkencore, punës artistike e shumë fusha të tjera. Të gjitha këto do arrihen nëse do kemi autonomi më të madhe. Ne si universitete kemi edhe përgjegjësi ta ndihmojnë komunitetin”.

“E dimë se bota shqiptare është e vogël kemi nevojë për programe studimore ku nëse bashkëpunojmë mund të akreditojmë programe të tilla dhe t’i mbajmë ato programe”, tha Dema, raporton EO.

Ai ka treguar se janë të gatshëm për invetime në laboratore, por atyre tha se u mungon buxheti.

“Nëse investojmë në laboratorë, në 20 Universitete do kemi 20 laboratorë. Nëse punojmë në shkëmbime të profesorëve, studentëve, sukseset do të jenë më të mëdha”.

“Ne jemi të gatshëm, por nuk e kemi buxhetin.  Apel tek qeveritarët të ndihmojnë universitetet, të mos ndërhyjnë dhe të mos kenë ndikime politike”, tha Dema.

Rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi, ka thënë universitetet janë në krizë tash e një periudhë të gjatë. Në lidhje me kolegjet private, tha se ato janë shndërruar në biznese.

“Këto 20 vitet e fundit autonomia e universiteteve publike është duke u dëmtuar seriozisht, qofotë nga ndërhyrjet politike, ashtu dhe nga grupet e biznesit”, tha ai.

Rektori i universitetit të Korçës, Ali Jashari, tha se kjo konferencë nuk duhet të mbetët me kaq dhe duhet të mblidhen sa më shpesh në mënyrë që të paraqesin të gjitha problemet.

Kurse, Rektori i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, Arben Gjata, u fokusua më shumë tek bashkëpunimi më i madh në mënyrë që të ketë ngritje të cilësisë.

Të ngjashme