Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në 24-vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës ka zbuluar pllakën përkujtimore me portretin e tij, në selinë qendrore të LDK-së, në prezencë të familjarëve të Mustafës, si dhe anëtarëve tjerë të kësaj partie, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku tha se bashkë me familjen e Mustafës kanë kujtuar “Xhemën si atdhetar, si veprimtar, si shkrimtar e si krijues – mbi të gjitha si bartës i lëvizjes rugoviste për liri, pavarësi e demokraci”.
“Në 24 vjetorin e vrasjes së patriotit Xhemail Mustafa, shpalosëm pllakën dhe portretin përkujtimor të tij, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Së bashku me zonjën Bahrije, vajzën Berianën e djalin Besianin, së bashku me vëllain Ganiun, Gemin e vogël, së bashku me Erolidën e Kushtrimin, kujtuam Xhemën si atdhetar, si veprimtar, si shkrimtar e si krijues – mbi të gjitha si bartës i lëvizjes rugoviste për liri, pavarësi e demokraci. Trashëgimia e tij politike do të ekojë në brezni!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tha se Xhema i vjetër u mor nga familja herët e padrejtësisht në hyrje të banesës së tij. Por, theksoi se Xhema i ri, na shfaqet secilën ditë tek Besiani sot – një mik, siç e quajti ai dhe një profesionist e një patriot i kohës sonë.
“Portreti i Xhemail Mustafës i vendosur afër shokut të tij Enver Malokut, na qëndron si kujtesë e fortë e themeleve të forta të Republikës, mbi të cilat themele detyrohemi ta bëjmë të ardhmen që pret për ne!”, ka shkruar Abdixhiku.