Në Aeroportin e Gjakovës u mbajt ushtrimi fushor “Mascal 2017”

Prishtinë | 24 Gus 2017 | 16:35 | Nga

Agjencia e Menaxhimit Emergjent-AME e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mandat koordinues qeveritar për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, me përkrahje, organizim dhe asistencë nga Komanda e KFOR-it dhe me pjesëmarrjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, prezentë në Kosovë që kanë mandat reagimin në incidente specifike, realizuan ushtrimin fushor “MASCAL 2017” me skenar: “Rrëzimi i Aeroplanit Komercial”, ku si pasojë ka lëndime në masë.

Në kudër të këtij ushtrimi u testua, komunikimi dhe koordinimi në incidente të karakterit kombëtar; reagimi i koordinuar midis faktorit vendor dhe ndërkombëtar, bazuar në Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Emergjencave (SIME) dhe Planin e Reagimit Kombëtar (PRK), si dhe rimëkëmbja pas situatave të kësaj natyre.

Me këtë rast zëvendëskomandanti i KFOR-it, Gjeneral Brigade Christian Reiner, e përgëzoi Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave për këtë ushtrim të suksesshëm. Ai tha se kjo është një ditë historike, sepse është hera e parë që AME e ka planifikuar, organizuar dhe ka ekzekutuar një ushtrim të këtillë të rëndësishëm.

Gjenerali Reiner përgëzoi po ashtu të gjithë organizatat tjera të cilat kanë kontribuar dhe që janë përgjegjëse për të ofruar siguri në të gjithë Kosovën. Ai theksoi se qëllimi i këtij ushtrimi, sikurse qëllimi i secilit ushtrim tjetër nuk është vetëm të trajnojmë organizatat tona dhe pjesëtaret e saj, gjithashtu është që të ngrijmë flamurin të tregojmë vetëbesim dhe gjithashtu të ndërtojmë besim.

“Si përfundim mund të them se institucionet e Kosovës mund të jenë krenare me këtë organizim. Dhe ajo që është më e rëndësishme është se populli i Kosovës mund të ndjehet i sigurtë në raste të emergjencave”, tha Gjeneral Reiner.

Nehat Koqinaj, udhëheqës i Ushtrimit nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, theksoi se skenari i këtij ushtrimi ka qenë që aeroplani me 35 pasagjerë me gjithë ekuipazhin, për shkak të problemeve është detyruar të ateroj në aeroportin e Gjakovës, me probleme të theksuara dhe nuk ka ateruar normalisht dhe është rrëzuar, si pasojë ka lëndime në njerëz. Lëndimet në skenarë kanë qenë 5 të lënduar rëndë, 20 të lënduar mesatarisht dhe 5 pa lëndime serioze.

“Përgatitja e këtij ushtrimi është bërë sipas planifikimeve që janë bërë që dy muaj dhe si pjesëmarrës janë reaguesit e parë që janë Zjarrfikësit e Kosovës, Policia e Kosovës dhe shërbimi medicinal emergjent, të cilët gjithmonë arrijnë të parët në vendngjarje. FSK-ja si reagues i dytë dhe njësitë e KFOR-it si reagues të tretë”, theksoi Koqinaj.

Zhvillimi i ushtrimit testoi zbatueshmërinë e dokumenteve bazë për Menaxhimin Emergjent në Republikën e Kosovës, si dhe gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare prezentë në Kosovë, për reagim dhe koordinim gjatë incidenteve të karakterit vendor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme