Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) ka bërë publike rezultatet e afatit të gushtit të Provimit të Maturës Shtetërore, sipas të cilave pragun e kalueshmërisë e kanë arritur 3 873 maturantë (60.01 për qind) nga 6 454 sa i janë nënshtruar këtij provimi.
Kryetari i KShM-së, Azem Guri, ka bërë të ditur se provimin e kishin paraqitur rreth 8 500 maturantë, por në testim kanë marrë pjesë vetëm 6 454 maturantë. Prej tyre, pragun e kalueshmërisë e kanë arritur 60.01 për qind, ndërsa 2 581 maturantë mbetet të provojnë njohuritë e tyre në vitin e ardhshëm.
Guri tha se KShM e vlerëson të suksesshëm organizimin e administrimit të Provimit të Maturës në të dyja afatet dhe theksoi se këtë vit është vërejtur një vetëdijesim më i lartë i të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces, gjë që ka bërë që të mos paraqiten probleme që do ta dëmtonin këtë proces të rëndësishëm.
Në emër të KShM-së, kryetari Guri iu uroi suksese të mëtutjeshme për regjistrim në arsimin e lartë të gjithë maturantëve që e kanë kaluar Provimin e Maturës, ndërsa për ata që nuk kanë kaluar uroi që të kenë sukses në vitin tjetër.