Në aksionin për veprën “mashtrim”, janë arrestuar 8 persona dhe konfiskuar 150 mijë euro

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor dhe Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg – Gjermani, kanë përmbyllur me sukses operacionin që ka të bëjë me grupe kriminale të përfshira në veprën penale të Mashtrimit si formë e Krimit të Organizuar.

Prokuroria Speciale njofton se personat e dyshuar në këtë rast kanë joshur dhe mashtruar qytetarët e ndryshëm nga Gjermania përmes platformave online “call center” duke iu ofruar për të investuar në aksione të ndryshme, si dhe në kriptovaluta që në këtë rast kanë qenë platforma fiktive dhe të dyshimtit kanë përvetësuar shuma të mëdha të hollash.

Gjithashtu, në operacionin e sotëm janë kontrolluar 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, deri më tani janë arrestuar tetë (8) persona të dyshimtë, si dhe janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave të dyshuar.

Gjatë kontrollit të lokacioneve në këtë operacion deri më tani janë gjetur dhe sekuestruar: 6 vetura, 149.300 euro kesh, dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, Serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprës penale.

Tete (8) personat e dyshuar të cilët janë arrestuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dërgohen  në mbajtje ku më pas  pritet të dalin para gjyqtarit.

Këtij operacioni i ka paraprirë një hetim i përbashkët në mes të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe partnerëve tanë nga Prokuroria e Përgjithshme në Bamberg – Gjermani.

Në cilësi të provave materiale është sekuestruar dokumentacion i nevojshëm që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme