Në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor në Beograd është duke u prezantuar raporti “Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale”, me autor Besart Lumi dhe Gëzim Visoka.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, aktivisti dhe studiuesi i drejtësisë tranzicionale, Besart Lumi është duke kërkuar që të kthehen kontributet e pensioneve dhe të paguhen dëmshpërblimet për viktimat e luftës së fundit në Kosovë
“Serbia nuk ka paguar asnjë dëmshpërblim për dëmet dhe humbjet e jetëve nga fushata e saj ushtarake dhe policore në Kosovë dhe nuk ka kthyer kontributet pensionale. Në mungesë të dëmshpërblimit zyrtar nga Serbia, Qeveria e Kosovës ofron dëmshpërblime në formën e pensioneve dhe privilegjeve të tjera për veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të luftës së UCK’së; viktimat civile dhe të mbijetuarit e viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit; si dhe të burgosurit politikë dhe civilët e dëmtuar fizikisht”, u shpreh Lumi para të pranishmëve serb e shqiptarë.
“Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale”, shqyrton përpjekjet dhe nismat ekzistuese për ballafaqim me të kaluarën dhe kërkimin e drejtësisë tranzionale në Kosovë, si dhe eksploron hapat e mundshëm për përmirësimin e ardhshëm të proceseve të drejtësisë tranzionale.
Ky raport është duke u prezantuar në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita Dobar Dan”, i cili ka për qëllim për afrimin e Kosovës dhe Serbisë përmes artit e Kulturës.