Procesi i negociatave Prishtinë-Beograd do të vazhdojë sot në Bruksel. Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Avni Arifi dhe në përbërje të Meliza Haradinaj, Alban Dermaku, Ardian Arifaj dhe Blerand Stavileci si dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, kanë zhvilluar një ditë më parë një takim më shumë se tre orësh me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.
Energjia, liria e lëvizjes, bashkëpunimi rajonal, janë disa nga temat për të cilat do të diskutohet në këtë fazë të takimeve.
Delegacioni i Kosovës ka shprehur përkushtimin për dialog, më saktësisht për një dialog në funksion të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë atyre që janë të kyçur në këtë proces.
Delegacioni i Beogradit në këto bisedime do të udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, nga 16 deri në 18 janar.
Këto janë bisedimet e para midis Kosovës dhe Serbisë në nivelin eksperto-politik, pas më shumë se 13 muajsh.