Në Bruksel është mbajtur takimi tre palësh i grupit punues mes delegacionit të Republikës së Kosovës kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për të vlerësuar zbatimin e marrëveshjes për heqjen e barrikadës nga ura mbi lumin Ibër dhe revitalizimin e kësaj ure nga ana e Bashkimit Evropian.
Ministrja Tahiri në këtë takim e ka vlerësuar punën e filluar nga ana e Bashkimit Evropian për revitalizimin e kësaj ure më 14 gusht 2016 dhe konsideroi se ky proces u bë fal dialogut të Brukselit të ndërmjetësuar nga ana e BE-së dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përputhje me konkluzat e marrëveshjes së 25 gusht 2015, procesi i revitalizimit të urës është duke u implementuar ashtu siç është dakorduar dhe palët janë ndarë të kënaqura me dinamiken e deritanishme. Bashkimi Evropian do t’i mbaj të informuar të dy kryetarët e komunave në vazhdimësi përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, përkitazi me zhvillimet rreth punimeve mbi urën e lumit Ibër.
Delegacioni i Kosovës ishte në përbërje të Ministres Edita Tahiri, Gazmir Raci, këshilltar politik dhe koordinator politik i çështjes, Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Rashit Qalaj, shef i operativës në Policinë e Kosovës, Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës jugore, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës veriore, Elona Cecelia, këshilltare politike e ministres Tahiri dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.