Të burgosurit në disa qendra korrektuese në vend nuk kanë pasur idenë se për cilët kandidatë po votojnë. Mungesa e listës së kandidatëve për deputetë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë dhe në burgun e Sigurisë së Lartë kanë hutuar të dënuarit apo të paraburgosurit. Madje në burgje të Kosovës u votua edhe pa mjete identifikimi.
Kështu është shprehur për Ekonomia Online, Alban Muriqi, menaxher i projekteve në Qendrën Kosovare të Rehabilimit e të Mbijetuarve të Torturës, qendër kjo e cila edhe ka monitoruar zgjedhjet e 11 qershorit në burgjet e vendit.
“Kemi pasur probleme me listën e kandidatëve, lista e kandidatëve për subjekte politike ka munguar në Smrekonicë dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë kjo do të thotë i ka hutuar shumë votuesit pra të dënuarit sepse nuk kanë ditur se cili kandidat çfarë numri përmban në flet votim. Ndërsa në Dubravë këto lista kanë ekzistuar, megjithëse jo në numër të mjaftueshëm, ndërkohë janë sjellë kopje të mjaftueshme. Materiali zgjedhor ka qenë kryesisht i mjaftueshëm dhe duhet përmendur këtu sprejin dhe llampat UV që përdoren për identifikim të votuesve nuk janë përdor në disa vendvotime në Dubravë dhe kjo është një shkelje e procedurave ose rregullave zgjedhore”, ka thënë ai.
Muriqi ka shpjeguar edhe problemet kryesore me të cilat janë ballafaquar të burgosurit gjatë votimit.
“Një ndër problemet kryesore është se një numër i madh i të dënuarve nuk kanë pasur dokumente identifikimi , pra dokumente në bazë të të cilave në pajtim me kushtetutën dhe ligjin të dënuarit mund të votojnë dhe kjo i ka privuar një numër të madh të dënuarit”, ka thënë ai.
“Ne kemi parë edhe në Dubravë që ka pasur raste të tilla, por ka pasur parregullsi të asaj natyre ku personat edhe në mungesë të dokumenteve të identifikimit kanë mundur të votojnë, do të thotë ka pasur persona që nuk kanë pasur dokumente identifikimi dhe kanë votuar, dhe numri i tyre në Dubravë është 150 votues. Kjo është shkelje e rregullave ligjore zgjedhore, ndërsa në burgun e Sigurisë së Lartë një numër prej 40 të dënuarve nuk kanë pasur dokumente identifikimi dhe nuk kanë pasur mundësi të votojnë. Kjo në një mënyrë i ka privuar dhe përveç faktit që janë bërë shkelje ku kanë votuar pa dokument këta janë privuar nga e drejta për ta ushtruar të drejtën e votës”, ka pohuar Muriqi.
Muriqi ka treguar edhe për numrin e të burgosurve të cilët kanë pasur të drejtë të votojnë dhe sa e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.
“Numri i atyre që kanë pasur të drejtë vote në bazë të listave ka qenë i madh dhe nëse mund të shkojmë me secilin institucion në Dubravë lista e miratuar ka qenë 730 persona, prej tyre kanë votuar 536 të burgosur, në Smrekonicë lista ka qenë 97 persona, ndërsa kanë votuar 81, dhe në burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc nga 109 persona të dënuar kanë votuar 45 prej tyre”, ka thënë ai.
Muriqi ka thënë se për dallim nga zgjedhjet e kaluara në Qendrën Korrektuese në Dubravë është parë interesim më madh i votuesve, duke shtuar se procesi ka shkuar me një mbarëvajtje më të mirë.
Ekipet e QKRMT të përbërë nga 8 vëzhgues të akredituar, më 11 qershor kanë vëzhguar procesin e votimit në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 2017, në vendet ku mbahen personat e privuar nga liria si institucionet korrektuese dhe qendra të shëndetit mendor: Qendra Korrektuese (QK) në Dubravë, Qendra Korrektuese (QK) në Smrekonicë, Burgun e Sigurisë së Lartë (BSL) në Gërdoc dhe QIRSPK në Shtime.