Numër i madh i fëmijëve të martën ishin mysafirë në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë. Ata nga afër patën mundësi që të njoftohen me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe të mësojnë për pajisjet që ata përdorin, raporton Ekonomia Online.
Dëshira e madhe për të ditë më shumë për ushtrinë e ardhshme të vendit, i bëri disa prej tyre që edhe të hipin në autoblindat që ishin sjellë në oborrin e kazermës për të shënuar “Ditën e Forcës”.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) Rrustem Berisha tha se muajin e ardhshëm pritet që pakoja e projektligjeve që e transformojnë këtë forcë në të armatosur të miratohet.
“Ne besojmë që muaji dhjetor do jetë muaji i miratimeve të tri ligjeve dhe do të jetë muaji ku do të shndërrohet Forca e Sigurisë së Kosovës ose do të fillojë procesi i tranzicionit. Për ne valid është plani dhjetë vjeçar i tranzicionit”.
Berisha, ka thënë se si ministër është i kënaqur me të arriturat FSK-së.
“FSK-ja vazhdon që të jetë forca më e besueshme në vend. Edhe kësaj radhe, tetë vite me radhë jemi vlerësuar si institucioni më i besueshëm në vend dhe kemi shumë të arritura”.
“Është vit ku kemi pasë arritje të jashtëzakonshme, progresi dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal me partnerë tanë strategjikë”.
Enver Cikaqi, komandant i Forcave Tokësore, tha se kjo është mënyra më e mirë për të prezantuar kapacitetet dhe zhvillimin profesional të forcave, infrastrukturës dhe pajisjeve.
“Konsideroj se FSK-ja ka krijuar kapacitete te veta në këtë mandat por te gatshme për t’i përdorë edhe në mandatin e ardhshëm dhe me bindje them se ne jemi të gatshëm me marrë përgjegjësi. Shpresojmë që vitin tjetër të prezantojmë kapacitete të reja”.
Sipas tij, FSK-ja ka krijuar kapacitetet e nevojshme edhe për një mandat tjetër, raporton EO.
“Ne si FSK e kemi një plan zhvillimi dhe transformimit për dhjetë vjetshin e ardhshëm. Konsideroj se FSK-ja ka krijuar kapacitete të veta në këtë mandat por te gatshme për t’i përdorë edhe në mandatin tjetër dhe me plotë bindje them se jemi të gatshëm të marrim detyra dhe përgjegjësi të reja”.
Në “Ditën e Forcës”, FSK-ja mirëpret qytetarët në të gjitha kazermat e saj, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, ku vizitorët do të kenë mundësi të shohin pajisje, demonstrime dhe aktivitete të shumta që dëshmojnë për kapacitetet e FSK-së.