Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën e Obiliqit dhe “Let’s do it Kosova”, kanë mbjellë fidane në fshatin Plemetin të Obiliqit, fshat ky i banuar nga komuniteti rom, raporton EkonomiaOnline.
Po ashtu u vendosen edhe disa shporta për hedhjen e bërllokut.
Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se me ligj janë të obliguar të krijojnë hapësira të gjelbra dhe ky aksion është në vazhdën e planeve të komunës që ai drejton. Ai falënderoi të gjitha institucionet që iu kanë bashkëngjitur këtij aksioni, ndërsa kritikoi KEK-ut, i cili sipas tij po e shfrytëzon shumicën e teritorit të kësaj komune, e nuk bën asgjë për të kthyer në gjelbërim hapësirat e dëmtuara.
“Desha ta lavdëroj në këtë rast ‘Reifaisen Bank’, të cilët i përcjellin aktivitetet e tona, e me e përqesh KEK-un sepse 72 % e territorit e shfrytëzon për prodhim të energjisë e elektrike dhe po e shihni se sot s’janë prezent me neve. Komunën e obligon edhe Ligji për Obiliqin për krijimin e zonave të gjelbra dhe nga 2017 që kur është fut në fuqi ligji komuna ka fillua edhe ta implementojë ligjin”.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se nuk mund të ketë një mjedis të pastër, pa një Obiliq të pastër. Ai tha se ndihma për këtë komunë do të vazhdojë.
“Kosova do të jetë ambientalisht mirë kur Obiliqi të jetë ambientalisht mirë. Vetëm gjatë ditës së djeshme kemi nënshkrua marrëveshje për të mbështet projektin në komunën e Obiliqit me vlerë 250 mijë euro. Fokusi ynë tashmë është në krijimin e infrastrukturës për grumbullim dhe menaxhim të mbeturinave”, tha ai.
Drejtori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, tha se kjo nuk është hera e parë që organizojnë aktivitet në këtë fshat.
Ai tha se është rritur vetëdija e qytetarëve të këtushëm për ruajtjen e pastërtisë.
“Është hera e 5 që vi personalisht me bë diçka në këtë zonë… ka fillua më u përmirësua situata kemi qenë para 1 muaji e kemi pastruar pak nuk ishte keq po shihet që ka pak rritje të vetëdijes të komunitetit këtu që ta mirëmbajë këtë zonë. Çështja e mjedisit është diçka që duhet të shihet si diçka afatgjate dhe planet e qeverisë i komunave dhe të gjithëve duhet të orientohen te një zhvillim i qëndrueshëm i cili është i ndarë në faza dhe i cili nuk gabon në hapa”, tha Hasanaj.
Ndërsa shefja e Zyrës së Koordinatores Zhvillimore të OKB- së në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se mënyra e vetme për të përmirësuar mjedisin është gjithëpërfshirja në aksione të tilla.
“Unë jam e lumtur t’i shoh këto aktivitete dhe kaq shumë fëmijë. Dua të theksoj një gjë që e vetmja mënyrë për të përmirësuar mjedisin është të përfshihen të gjithë të pranishmit që sot janë këtu, siç janë fëmijët këtu, përfaqësuesit e institucioneve, përfaqësuesit e komunitetit, të gjithë duhet të përfshiheshin, përndryshe kjo nuk funksionon. Sot është Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit, dhe biodiversiteti është domosdoshmëri. Nëse nuk ka biodiversitet nuk ka as jetë, as kapacitet mundësi për jetë”, tha Richartson
Deputetja Mimoza Kusari Lila, nga Grupi Parlamentar i të Gjelbërve tha se është koha e fundit që të ndërmerren veprime konkrete për ruajtjen e mjedisit.
“Është koha e fundit për veprime konkrete dhe natyrisht senzimbilizimi është gjithmonë faktorë i rëndësishëm” tha Kusari – Lila.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme është ambasadorja suedeze, si dhe përfaqësues nga ambasada franceze.
Ky aksion u mbajt në fshatin Plemetin të Obiliqit dhe është i banuar nga komuniteti rom, ndërsa konsiderohet një prej fshatrave më të ndotura nga mbeturinat në vend.