Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” , ka mbajtur një takim simbolik për nder të 28 nëntorit. Gratë intelektuale shqiptare u mblodhën për të përkujtuar gratë të cilat dhanë jetën dhe punuan në të mirë të kombit shqiptar, raporton Ekonomia Online.
Nermin Vlora Falaschi ishte një nga ato gratë e cila iu zgjati dorën grave të tjera në rrugëtimet e tyre të gjata e të vështira. Sot teksa u shënua 13 vjetori i vdekjes së Nermin Vlora Falaschi, gratë të cilat punuan me të u mblodhën për të kujtuar atë dhe për të diskutuar për gjendjen e gruas shqiptare.
Kryetarja e degës së Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” në Prishtinë, Sebi Kamberi ftoi të gjitha gratë që të bashkohen e të mos ndalojnë rrugëtimin e tyre në përkrahjen e grave intelektuale.
“Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” tani më e njohur për promovimin e gruas intelektuale mbarëkombëtare kudo që jetojnë gratë intelektuale shqiptare synon që të jetë zëri i gruas së fuqishme, zëri i femrës intelektuale duke promovuar kështu vlerat intelektuale të femrës shqiptare kudo në botë. Ftoj që të mos ndalet puna që të mos ndalojmë këtë rrugëtim për përkrahjen e femrës intelektuale shqiptare”, u shpreh Kamberi.
Shefqete Gosalci anëtare e kryesisë së degës së fondacionit në Prishtinë, kujtoi Nermin Vlora Falaschin si një grua të rrallë e të kulturuar.
“Ishte vërtetë një grua e rrallë e zgjuar e kulturuar e matur e ditur me një qëndrim të theksuar do të thoja një grua e jashtëzakonshme.Do të vazhdojmë të jemi mbështetëse të grave ashtu siç bën motrat tona të bashkuara. Rrethanat politike nuk kanë qenë kurrë më të favorshme se sot që të punojmë në të mirë kombit tonë ti zbusim dhe ti eliminojmë barrierat mes nesh në mënyrë që të ecim të barabarta dhe krenare në jetë”
Ndërsa gazetarja nga Shqipëria Mimoza Abrashti u ndal në rrugëtimin e grave në përgjithësi. Ajo tha se rrugëtimi nuk ka ecur në mënyrë të shpejtë dhe se kjo ka ndodhur për shkak të mentaliteti patriarkal dhe nënvlerësimit fetar që i është bërë nga disa klerik.
Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” numëron rreth 20 degë nëpër botë, të cilat synojnë avancimin e pozitës së gruas në shoqëri.