Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Kosovë, ka mbajtur aksionin simbolik “Dera e Pritjes” në sheshin “Skënderbeu”, përkatësisht para ndërtesës së Qeverisë.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës, Marigona Shabiu në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se janë mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur gjatë luftës.
Sipas saj, kjo çështje nuk është vetëm shqetësim për familjarët por për të gjithë shoqërinë, andaj ajo theksoi se do të ngrisin zërin për t’i gjetur ata persona.
“Është një ditë që shënohet në gjithë botën, dhe ne si organizatë e kemi bërë si aktivitet tradicional i joia. Ne mbledhemi përmes formave te ndryshme, përmes aksioneve rrugore që të flasim për çështjen e personave të zhdukur në Kosovë. Fatkeqësisht nga lufta e fundit në Kosovë janë mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur, familjarëve të cilët vazhdojnë të presin se çka kanë ndodhur me fatin e tyre dhe se ku kanë përfunduar përpjeka e tyre familjare për të gjetur më të dashurit e tyre akoma vazhdon edhe pas 25 viteve vazhdon të jenë të zhdukur. Përmes këtij aktiviteti synojmë të solidarizohemi me familjarët, çështja e të pa gjeturve nuk është çështje që i preokupon vetëm familjarët është një problem që na shqetëson neve si shoqëri. Me aq fuqi sa kemi duhet të bëjmë më shumë të ngrisim zërin në luftën për t’i gjetur ata persona”, ka thënë Shabiu.
Po ashtu, Shabiu ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që të bëjnë një punë më intensive dhe më serioze që kjo plagë të mbyllet.
Bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që çështja e personave të zhdukur të trajtohet me urgjencë kombëtare. Të mos politizohet në mënyrë që edhe personi i fundit që rezulton i zhdukur t’iu kthehet familjarëve. Ne si organizatë e konsiderojmë që nuk mund të ketë paqe të mirëfilltë, të qëndrueshme dhe te shëndoshë kosovare pa u kthyer edhe personi i fundit i zhdukur në Kosovë. Kjo është një plagë e hapur që vazhdon dhe institucionet publike duhet të bëjnë një punë më intensive dhe serioze që kjo plagë të mbyllet”, shtoi ajo.