– Betejës së komandantit, Adem Jashari
me bashkëluftëtarët e tij në Rezallë të Re (ish- Ludovik)
1.
E errët botë e vjetër,
Shumë tallaze, furtunë!
Rrëbesh pas rrëbeshi,terr mbi bjeshkë,
Shekujt rënduan mbi krreshta e gërxhe;
Moti ishte i ngrysur,i mrrolur,
Dalëzotësit zbretën nga mali;
Ku jastak i bënë shkëmbinjët,
Egërsirës së shekujve i dolën në pritë…
Në pritë qëndronin grykët e pushkëve,
Aty ku përbirohej liria e Kosovës…
Atje ku mjegulla puthej me malet e gurta ,
Kishin pirë nga një gëllënkë ujë gurre, trimat;
Në shenjë nderimi për Përendinë e lirisë…
I thirri Grykë e Rezallës së Re
Atje, tek Adem Jashari jepte urdhër:
Zjarr e shkrumb mbi errësirën e shekujve,
Këtu nuk ka vatër as strehë për helmeta…!
Qielli e Gryka u qëndis me plumba,
Tym shtëllunga e zjarr mbi hekuarat e milicisë
Vëllazërisht lidhën zemrat aleatët e lirisë,
Krisën pushkët e lirisë mbi mjegullën,
Klithma e kukamë në një gjuhë tjetër…
Robëria e helmetat rrokulliseshin,
Sokëllinë nga lartësitë zëri i Komandantit;
Në Ludovik pizgauerë me mitralozë t’rëndë,
Mbi qiell të Drenicës një helikopter vëzhgon…
Zëri i Komandantit ua preu udhën:
Ndal! Mos shkoni tutje!
Ju ka skaduar Leja mbi këto troje!
Ligjet e robërisë copë e grimë kemi bërë,
Këtu shtrihet pushteti i guximit të burrave –
Këto male janë mbushur shpresë…!
Komandanti zbriti vërtikë në istikame:
Kjo Grykë e këto male nuk kapërcehen,
Mali e kullat janë mbushur guxim…!
Mos shkel me çizme as tokë as qiellin tim!
Kjo tokë nuk duron as kral as mbret,
As milic,as ushtar e gjyqtar të huaj!
Kanë Kanun të nëntorëve këto male!
Ulërimë, kukamë e britmave u mbush Gryka…
Trekëmbëshi i robërisë u thy u bë copë,
Shëmbeshin tallazet e rrëbeshet,
Urdhër: “Klisyra” nuk kalohet…!
Ndalu iu themi! Këto troje kanë Zot!
Syrin në shënjestër! Zjarr!
Po shkundej trishtimi i moteve,
Robëria nxirte grëhamë,po e jepte shpirtin;
Ditë e nëntorit-edhe një festë e re i shtohet!
Pushkët kishin mbushur gushën lavdi…
Terr i shekujve: Leja paska skaduar mbi këto troje!
Robëria pyet më vete: Ç’është ky mot me bubullimë?
Nëntori me gjëmë po shfrynë mbi histori…!
2.
Atë ditë nëntori, robëria u qëllua në ballë,
Sapo trimat ngjyen kafshatat në sofër ,
Ua mbushën gushën plumba pushkëve
Atë ditë robërisë iu thy palcë e kurrizit.
Zëri i Ademit çante dhe gurin e Grykës,
Perdja e robërisë nisi të binte përtokë;
I shembeshin muret e moçme gurë-gurë.
Mateshin burrat në peshoren e trimërisë.
Dimbjet shpërthyen si zjarr vullkanesh-
Trimëria nuk kërkonte t’i jipeshin dekorata!
Atë ditë rrëkëlleheshin helmetat e robërisë,
Iknin duardridhur e bisht nën shalë;
Në qiellin e paanë në Grykë jehon sokëllimë,
Kryekomandanti u jepte zemër çlirimtarëve…
Në Tempullin e dijes- në shkollë të Llaushës,
Një plumb goditi mësuesin Halil në mësonjëtore,
Në themelet e lirisë trazohej fjala e mësuesit,
Ai u bë monument-u bë amanet në mermer…
Varrim ishte-u bë dasmë ndër varre,
UÇK! UÇK! UÇK!-jehoi Kosova;
Çlirimtarët: Luftën e nisëm-s’patëm udhë tjetër!
Lufta i hanë trimat e frikacakët e hanë lirinë,
Mallkimi i ndjek kudo se liria nuk do emër të zi!
Atë ditë Nëntori 1997,
Atje ku mjegulla puthet me malet …
Shkundeshin supet e gërxheve, dridhej robëria,
Përdridhej në Grykë e nëpër dallgë terri;
Copëza zemrash lenë amanetet,
Dalazotët që u nisen që me natë drejt lirisë.
Rrokulliseshin helmetat, nuk iu mbeti shteg;
Kthesë e madhe- kokulur kthehen nga erdhën,
Atje ku po jepnin shpirt Stuhitë e robërisë…
Trimat në gjallje e robëria në vdekje…!
Ata jetojnë në ne gjer në pasvdekje…
Drenicë, më 25 nëntor 2022
P.S. Në vend urimi për Festat e Nëntorit…Poezia që i është kushtuar prologut të fillimit të luftës së UÇK-së. Motivi i vargjeve është Beteja e Rezallës së Re, kur 25 vjet më parë, kishte ndodhë ballafaqimi i parë frontal i një formacioni të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat e milicisë serbe. Një ditë para kësaj beteje, forcat serbe kishin hasur në rezistencën e njërit prej pishtarëve të parë të radhëve të UÇK-së, Abedin Rexhës, Sandokanit. Beteja e Rezallës së Re ka rëndësi ushtarake dhe politike, sepse hapi rrugën për mbështetjen dhe masivizimin e UÇK-së deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Kjo ngjarje e 25 nëntorit 1997 i parapriu dhe një vistër ngjarjesh të Kthesës së madhe Historike;Betejes në Rezallë të re,Daljës publike të UÇK-së,Betejës së Lokoshanit e Qirezit dhe Epopesë së Jasharajve deri në çlirimin e vendit.