Ndërmarrja Publike Posta e Kosovës Sh.A. sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Postës. Njëri prej aktiviteteve që organizoi Posta ishte pritja e grupit të fëmijëve parashkollorë nga Institucioni “Kids Academy” (Qendër për Përkujdesje Ditore dhe Edukim).
Në këtë organizim, zyrtarë nga menaxhmenti, drejtori i shitjes dhe marketingut, Bashkim Mustafa dhe zyrtarë nga drejtoria e Operativës i mirëpritën fëmijët parashkollor, duke iu dhënë informata si kryhen shërbimet postare.
Fëmijët u ndjenë të relaksuar në ambientet e Postës, ata bënin pyetje postierit, si dhe i dorëzuan kartolinat për t’ju dërguar të afërmve të tyre. Ndërsa u ndanë të buzëqeshur teksa pranuan dhuratat modeste nga ndërmarrja.
Dita Ndërkombëtare e Postës shënohet për çdo vit, më 9 tetor, në të gjitha shtetet e botës. Në këtë datë, në vitin 1874 është themeluar Unioni Postar Universal (UPU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, që përbëhet nga 192 shtete anëtare.
Posta e Kosovës ende nuk është anëtare e UPU-së, për shkaqe politike, sepse ndër kriteret për anëtarësim është që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Përndryshe, Posta e Kosovës është e gatshme në çdo aspekt të anëtarësohet në këtë organizatë.
Posta e Kosovës kërkon që të bëhet anëtare me të drejta të plota në UPU!