Situata e krijuar nga pandemia ndikoi pozitivisht në marrëdhëniet mes çifteve, por rihapja graduale solli një rritje të numrit të padive në gjykatë për zgjidhje martese. Nga maji deri në korrik u pesëfishuan rastet e divorceve në Shqipëri, ndërsa numër i lartë në këtë periudhë vërehet dhe për dosjet e divorceve të cilat janë zgjidhur.
Periudha më shumë se 2 mujore kur vendi ishte pothuajse në izolim total, solli një ndikim pozitiv në lidhjet familjare duke ulur ndjeshëm rastet e divorceve mes çifteve.
Me heqjen e masave kufizuese, nisjes së lëvizjeve dhe rihapjen e bizneseve në kryeqytet u konstatua një rritje e këtij fenomeni. Nëse në periudhën mars prill u shënuan 72 kërkesa për divorc në gjykatë, në periudhën maj-korrik u paraqiten 353 kërkesa divorci, fenomen i cili është 5-fishuar.
Krahas padive, rihapja graduale nga masat kufizuese solli dhe një rritje të numrit të rasteve të përfunduara të cilat janë regjistruar për divorc. Nëse në mars dhe prill përfundoi trajtimi i 50 padive për divorc, në maj-korrik përfunduan së trajtuari 247 raste.
Mbi 80% e kërkesë padive regjistrohen në gjykatë nga gratë dhe në pjesën më të madhe shkaku kryesor i divorceve është dhuna. Fëmijët janë viktima të konflikteve mes prindërve gjatë dhe pas këtij procesi.
Edhe fenomeni i dhunës ka njohur rritje pas heqjes së masave kufizuese të vendosura nga qeveria. Ndonëse situata ishte më e qetë në mars dhe prill ku u dhanë 106 urdhra mbrojtjeje, në maj-korrik rastet u dyfishuan në rreth 250 urdhra mbrojtjeje.