Në edicionin me dhjetë ekipe, Drita shihet sërish favorite për titull

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, do ta nisë si vendase mbrojtjen e titullit, me ndeshjen derbi kundër Llapit.

Shorti për edicionin 2020/2021 të Superligës në futboll është tërhequr të enjten në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Bashkë me Dritën, opinionistë të futbollit, kandidatë për të fituar titullin në elitën e futbollit kosovar e shohin edhe nënkampionin Gjilanin, pastaj Ballkanin dhe Feronikelin, por jo edhe Prishtinën, shkruan KOHA.

Kjo për shkak të përforcimeve që i kanë bërë skuadrat gjatë këtij afati kalimtar.

Gjilani ndeshjen e parë do ta luajë në udhëtim kundër Feronikelit, derisa fituesja e Kupës, Prishtina, do ta presë në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Drenicës.

Edicioni i ri i Superligës do të zhvillohet me dhjetë skuadra. Do të luhen 36 xhiro, me sistem të katërfishtë.

“Formati i ri garave natyrisht që është më i mirë në të gjitha aspektet dhe sigurisht ka ardhur pas analizave nga njerëz kompetentë të futbollit. Ndoshta në vitin e parë mund të mos i jep frytet e dëshirueshme të konkurrencës për shkak që, sipas të gjitha gjasave, do të luhet pa shikues, sidomos fillimi i edicionit. Por, me sa e kemi përcjellë tregun e transferimeve, favoritët janë kryesisht të njëjtit, Drita, Gjilani dhe Ballkani. Janë këto tri skuadra që do ta thonë fjalën e tyre, por mos të harrojmë që është edhe Feronikeli që e dëshiron Evropën. Katërshes nuk mund t’i bashkohet Prishtina, të cilës i janë larguar disa futbollistë mjaft cilësorë”, ka thënë trajneri i futbollit, Ardian Llumnica.

Në xhiron e parë Ballkani do të luajë në Pejë kundër Besës së rikthyer në elitë, derisa Trepça ’89 do ta presë skuadrën e promovuar në Superligë, Arbërinë.

Në fakt, Drita u ka besuar lojtarëve që e kanë shpallur kampione, derisa ka bërë edhe disa përforcime. Përforcime ka bërë edhe kundërshtari i parë i saj, Llapi.

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, insiston se kanë kapacitet që ta mbrojnë titullin e kampionit.

“Mendoj që shorti nuk është se ka rol shumë të madh sidomos në fillim të sezonit, sepse secili do të luajë kundër tjetrit dhe duhet të jemi të gatshëm në çdo kohë për secilin kundërshtar. Natyrisht që barra bie mbi ne, sepse është ndryshe kur të tjerët futen me motiv më të madh sepse përballë e kanë kampionen. Do të jetë e vështirë, por pavarësisht kësaj kemi potencial të madh për ta mbrojtur titullin dhe kemi gjithçka që na duhet për t’ia dalë mbanë. Jemi të ‘armatosur’ shumë mirë dhe shpresojmë që të na ecë mbarë për ta mbrojtur titullin”, ka thënë Limani.

Se Drita është favorite edhe këtë edicion, e thotë edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Por, Batatina insiston se gara do të jetë e fortë deri në fund të edicionit.

“Të tregon fakti që kemi të bëjmë me kampionen si kundërshtaren e parë. Do të jetë për ne një udhëtim i vështirë, por duhet të bëhemi gati të luajmë ndeshje të fortë kundër kampiones. Edhe këtë edicion me këtë format të ri sigurisht se për ne do të jenë synimet e vjetra që të luftojmë deri në fund për titull të kampionit dhe për trofeun e kupës. Pritet të jetë një kampionat i luftuar dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Të gjitha ekipet kanë qenë aktive në tregun e lojtarëve. Edhe ne mendoj se kemi bërë goditjet e duhura dhe pres angazhim maksimal nga të gjithë”, ka thënë Batatina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme