Drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë, Basri Lenjani, në një prononcim për Ekonomia Online, ka sqaruar se po ballafaqohen me mbipopullim të pacientëve që ishin të infektuar me Covid-19, e që tash po kanë implikime në zemër.
Sipas tij, raste të tilla po ngarkojnë këtë klinikë, ngase ekzaminimi i tyre zgjatë deri në dy orë.
“Ende ekzistojnë rekomandimet e IKShPK, dhe rekomandimet e Qeverisë. Ne duhet të sillemi sikur të ishte prezent sëmundja Covid 19. Në Klinikën Emergjente një mbipopullim që kanë kërkuar shërbimin tonë emergjent kemi gjendje pas Covidit që vijnë me pengesa në zemër”.
“Kjo e ngarkon shërbimin tonë sepse janë ende nën ndikimin e terapisë. Rastet të tilla që vijnë pasi kanë kaluar Covidin i bëhen ekzaminimet brenda dy orësh dhe në bazë të gjetjeve përsëri hospitalizohen për t’i tejkaluar ato vështirësi të cilat i ka sjellë Covid-19”.
Sipas tij, është rritur edhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore për shkak të temperaturave të larta.
Tutje, ai tha se shërbimet emergjente janë të detyruar të ofrojnë kujdes emergjent mjekësor për të sëmurët e lënduar dhe të helmuar.
“Në Klinikën Emergjente është rritur numri i të sëmurëve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të temperaturave të larta të cilat po ngjajnë në Kosovë, në regjion e Ballkan”.
“Shërbimet emergjente janë të detyruar të ofrojnë kujdes emergjent mjekësor për të sëmurët e lënduar dhe të helmuar po kjo mbingarkim mbi shërbimin emergjent mjekësor vështirëson punën në Klinikën Emergjente për shkak se shumica e të sëmurëve që kërkojnë shërbime emergjente vijnë me sëmundje të rëndë si pasojë e përkeqësimit të shenjave dhe simptomës së sëmundjes duke mos i anashkaluar edhe gjendjet aksidentale sidomos traumat dhe helmimet me mjete të ndryshme klinike”.
Ai tha se në klinikë brenda 24 orëve kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 380 raste, raporton EO.
“Klinika Emergjente që nga fillimi i pandemisë mbetet si shërbimi më i mbipopulluar në sistemin shëndetësor. Brenda 24 orëve kërkojnë ndihmë mbi 380 raste të cilat kërkojnë shërbime emergjente si për sëmundje poashtu edhe lëndime”, tha ai.